May 15, 2024
Maqedoni

Vendi përgatitet për rreziqet nga vërshimet

Për t’u përballur më mirë me rreziqet nga vërshimet vendi është bërë pjesë e sistemit të udhëzimit të përmbytjeve të shpejta, i njohur si FFGS. Përmes këtij sistemi synohet paralajmërim i hershëm nga përmbytjet e shpejta me qëllim të shmangies se dëmeve qoftë në njerëz apo atyre materiale, duke bërë vlerësimet e reshjeve bazuar në radar dhe satelit dhe modele hidrologjike. Megjithatë, vendet e rajonit duhet të investojnë në shumë departamente për të zbatuar më mirë këtë sistem.

“Besoj se kohët e fundit Maqedonia e Veriut, Serbia dhe ky rajon kanë pasur vërshime të shpejta. Ne e kemi parë si ka qenë situata. Ne besojmë se jo vetëm këtë softuerë, por gjithashtu mund të keni nevojë për një tjetër infrastrukturë, linjë tjetër veprimi për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Ky do të jetë një udhëtim i gjatë, por besoj se ky sistem dhe ky komunitet mund të mbështesin njëri-tjetrin,” deklaroi Juhirin Kim-Organizata Botërore Meteorologjike.

Tashmë një vit, vendi ynë po bën testim operativ të sistemit të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet e shpejta.

“Mendoj se në Maqedoninë e Veriut u nevojit rreth një vit, sepse kapacitetet parashikuese në Maqedoninë e Veriut janë shumë të mira, andaj ata lehtësisht e përshtatën këtë sistem të ri dhe të njëjtin e kanë përdorur, në fakt ata po bëjnë atë që ne e quajmë, testim operativ të sistemit,” u shpreh Aishe Sizintok-Agjencia Amerikane për Zhvillim.

Nëse zbatohet i ashtuquajturi format praktik i përbashkët i alarmit edhe mediat do të mund ta pranojnë atë mesazh dhe automatikisht ta plasojnë atë në transmetim. Sipas Johan Stander, nga Organizata Botërore e Meteorologjisë mënyra më e mirë për zgjerimin e këtij sistemi të paralajmërimit të hershëm është përmes telefonave celularë.

“Gjithashtu me format praktik i përbashkët i alarmit paralajmërimi automatikisht do të shkojë në telefonin celularë dhe duhet implementuar që njerëzit e atij vendi të informohen. Por lind pyetja çfarë bëhet me ata njerëz që nuk kanë telefona celularë, ata në zonat rurale? Duhet përshtatur mënyra e informimit dhe në atë rast është mirë që drejtuesit lokalë të shkojnë në vendngjarje dhe të paralajmërojnë njerëzit, të komunikojnë me ta,” deklaroi Johan Stander- Organizata Boterore e Meteorologjisë.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në çdo periudhë kur pritet sasi më e madhe reshjesh dalin në terren për të evidentuar pikat apo zonat më të rrezikuara. Në rastet kur ka sasi të madhe reshjesh kanalet janë ato që përbëjnë më shumë problem.

“Kanalet janë më problematike sa u përket përmbytjeve. U japim rekomandime komunave se çfarë duhet të ndërmarrin si veprime parandaluese që të pastrohen kanalet, që të ulet rreziku. Nuk mund të themi se nuk e bëjnë. Disa kanë mundësi, disa jo,” thanë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Në konferencën ndërkombëtare që mbahet në Shkup pritet të ketë rreth 200 pjesëmarrës nga mbi 70 vende të botës, ndërsa mbështetja e përgjithshme ofrohet nga Organizata Botërore Meteorologjike, e cila është një agjenci e specializuar e OKB-së.