Maqedoni

Vazhdon mësimi online në Strugë, Inspektorati i arsimit prej nesër në teren

Vazhdon mësimi online në Strugë, Inspektorati i arsimit prej nesër në teren

Rreth 600 nxënës në “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë edhe këtë javë vazhduan ta ndjekin mësimin “online”. Inspektorati Shtetëror i Arsimit paralajmëron se me këtë çështje do të merren nga nesër.

“Pas njoftimeve nga ana e mediumeve ne lidhje me ndjekjen e mesimit online në shkollën “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë, Inspektoriati Shtetëror i Arsimit do të dalë në teren të realizojë inspektim të jashtëzakonshëm më së voni deri nesër, në bazë të Ligjit për arsim fillor dhe inspektimit do të sjell edhe vendim për të cilin do tu njoftojmë edhe juve si medium”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se përveç Strugës, mësimi online zhvillohet edhe në disa vende të caktuara për shkak të rikonstrumit të shkollave. Nga atje thonë se përpiqen që rikonstruimet të bëhen gjatë pushimit të verës, por për shkak të urgjencës dhe nevojës, në disa shkolla një gjë e tillë mund të ndodh edhe gjatë vitit shkollor.

“Komunat dhe shkollat që janë nën kompetenca të tyre janë përgjegjëse për organizimin e procesit edukativo-arsimor. Kështuqë MASH nuk jep pajtueshmëri për organizim të mësimit online. Kjo formë e mësimit mund të organizohet vetëm në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme edhe atë me vendim të Qeverisë”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Por ditë më parë edhe këshilltarët e Strugës deklaruan se nuk kanë kompetenca që të sjellin vendim për mësim online dhe se kjo është kompetencë e pushtetit qendror.

140 nxënësit e shkollës fillore “Josip Broz Tito” në fshatin Vranishtë prej sot janë rikthyer në bankat e shkollës, pasi siç na njoftoi drejtoresha e shkollës, punimet kanë përfunduar dhe hapësirat janë gati për ndjekje të mësimit me prezencë fizike.