Vazhdojnë shkarkimet e përkrahësve të “Grupit të zjarrit”
Vazhdojnë shkarkimet e funkcionarëve të BDI të cilët publikisht shprehën mendimin ndryshe në përkrahje të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit” dhe kundër zv. kryeministrit të parë Artan Grubi.
Të fundit në këtë valë shkarkimesh janë sekretari i Degës së Sarajit Qamil Kovaçi dhe anëtari i kryesisë së Degës së Sarajit Ajrulla Mustafa.
Këtë e bënë të ditur vetë tashmë ish-funcionarët përmes postimeve në profilet e tyre të Facebook, me ç`rast theksuan që arsyeja e vetme për shkarkimet e tyre është revanshimi për përkrahjen e tyre publike për mendimin ndryshe brenda partisë, dhe qëndrimet e tyre kundër zv. kryeministrit të parë Artan Grubi.
Më poshtë mund të lexoni edhe pjesë nga postimet e tyre:
“Sa për informim shkarkimi vjen si rezultat i mbështetjes së mendimit ndryshe brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, për të cilin mendim jam i gatshëm të sakrifikoj edhe në të ardhmen për arsye se nuk mund të jem kundër bindjeve të mia dhe të bëhem mbështetës i politikave të gabuara thjeshtë për të mbrojtur interesin personal duke anashkaluar nevojat dhe kërkesat e gjithë atyre mbështetësve që me vite na qëndruan besnik në këtë rrugëtim” – Qamil Kovaçi (sekretar i Degës së Sarajit).
“Edhe pse nuk më janë bërë të qarta arsyet e shkarkimit nga kompetentët, le të kuptohet se aryeja e vetme e shkarkimit tim është mendimi ndryshe përbrenda partisë. Unë do të vazhdoj aktivitetin tim politik si anëtar i kryesisë së BDI Dega Saraj dhe do të vazhdoj të jem mbështetës i mendimit ndryshe si shumë e shumë të tjerë, këtë e bëj me bindje të thellë dhe jam i sigurt që koha do e dëshmojë se kemi patur të drejtë” – Ajrulla Mustafa (anëtar i kryesisë së BDI Dega Saraj).