Maqedoni

Vazhdojnë hetimet për vrasjen e dyfishtë në Stajkovcë, banorët: Ishte familje e qetë dhe pa probleme

Kjo është shtëpia ku gjatë ditës së djeshme në Stajkovcë të Komunës së Gazi Babës ndodhi vrasja e dyfishtë ndërsa sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tani nuk ka detaje se cilat kanë qenë arsyet të cilat kanë dërguar deri tek kjo vrasje. Sipas banorëve kanë qenë familje e qetë dhe nuk kanë pasur ndonjë problem me këto familjarë.

“Këtu jemi me vite së bashku dhe nuk kemi pasur ndonjë problem, fëmijët e mi janë moshatarë. Nëna u ndërroi jetë shumë kohë më parë ndërsa babai para disa vitesh dhe gjithçka ishte mirë por kjo që ndodhi edhe ne u befasuam. Atë që e di është që gruaja e njërit ishte në spital dhe ka qenë shumë i dëshpëruar dhe ka thënë që ka dhimbje koke. A keni pasur ndonjëherë probleme me ata? Jo, Jo, me gjithë kemi qenë të afërt dhe s’kemi pasur probleme”, u shpreh një qytetare.

“Njërin e njoh se kush është e tjetrin jo. Çfarë njerëzish ishin? Atë që e njoh ishte i mirë. Me ju si banorë a keni pasur probleme? Jo asnjëherë nuk ka pasur probleme”, tha një tjetër qytetar.

Ngjarja në MPB është paraqitur dje në orën 12:30. S.K (57) dhe bashkëshorti i saj V.K (64) janë gjetur me lëndime në kokë në shkallët e shtëpisë. Mjeku i Emergjencave në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e S.K, ndërsa V.K me lëndime është transportuar në Klinikën “Nënë Tereza”, ku dhe ka ndërruar jetë. Ndërkohë me plagë nga thika është gjetur edhe L.K (67), vëllai i V.K, i cili dyshohet se është autor i vrasjes i cili është transportuar në spital për trajtim mjekësor. Nga prokuroria thanë se nga vendi i ngjarjes së vrasjes së dyfishtë janë siguruar gjurmët të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe sipas urdhrit të prokurorit publik trupat e të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion ndërsa motivi i vrasjes ende nuk dihet. /Alsat.mk