Varret do të bëjnë gjithmonë dritë
SHKRUAN: NEHAT JAHIU
Gjatë një pasdite të bukur pranverore dola me mbesat e nipat e mi për të shëtitur tek arat tona që gjenden buzë malit. Sa kënaqësi ishte të shëtisja, unë me ata, gjatë kësaj kohe të bukur, kur fushat dhe malet kishin filluar të mbusheshin me gjelbërim. Në çdo anë ndjehej era e këndshme e pemëvë që kishin filluar të lulëzojnë së bashku me lulet që të magjepsnin syrin me bukurinë dhe ngjyrat e tyre të lloj-llojshme. Zëri i bilbilave, cicërima e zogjve dhe gurgullima e ujërave të përroskave nuk ndaleshin dot. Ishte një mrekulli mbi mrekullitë.
Koha iku shumë shpejt. Dielli dalëngadalë filloi të perëndonte dhe dita kaloi në muzgun e natës. Pas gjithë kësaj kënaqësie u nisëm për t’u kthyer në shtëpi. Kur arritëm poshtë arave që ishin buzë malit dhe për t’iu afruar rrugës kryesore që të shpinte në fshatin e lindjes, në pjesën tjetër të fshatit fqinj, rrëzë malit dukeshin disa drita. Nipat dhe mbesat filluan të më pyesnin.
Gjyshi na trego, çfarë janë ato drita atje mbi fshat? Oh, bijat dhe bijtë e gjyshit! Ai vend ku po i shihni ju ato drita mbi fshatin Sllupçan janë “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, janë varret e bijave dhe bijve më të mirë që luftuan dhe flijuan jetën e tyre për atdhe e për liri, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë vitit 2001.
Ju të gjithë atëherë nuk e dinit, sepse në atë kohë nuk kishit lindur. Për këto varreza dhe shumë të tjera ku pushojnë dëshmorët e kombit ne duhet t’iu rrëfejmë dhe t’iu njohim për kontributin e veprimtarinë e tyre heroike, duke luftuar me trimëri për lirinë e barazinë e shqiptarëve, ku jetojmë në trojet tona shqiptare.
Shumë prej tyre janë plagosur, kanë humbur gjymtyrët dhe disa janë vrarë duke dhënë jetën që lirinë ta gëzonin brezat e rinj. Atje ku duken dritat janë drita që ndriçojnë mbi varrin e çdo dëshmori. A i shihni se janë drita të kuqe? E dini pse kanë këtë ngjyrë? Kanë dritën e kuqe të gjakut me të cilën i kanë ujitur dëshmorët këto fusha e male.
Çdo mbrëmje aty ku është derdhur gjaku i tyre e pushojnë dëshmorët, bëjnë dritë varret, i ndriçojnë malet dhe fushat. Gjaku i tyre kurrë nuk thahet, e kurrë nuk shuhet. Gjaku i tyre gjithnjë bën dhe do të bëjë dritë në këto troje.
LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!