Várhelyi: 30 miliardë euro investime për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor
Samiti të Liderëve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Tiranë disa ditë para marrjes së vendimit nga Këshilli Europian për mbajtjen ose jo të Konferencës së parë Ndërministrore të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në takim morën pjesë liderët e gjashtë vendeve të rajonit: Bosnja-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, (MV), Serbia dhe Shqipëria.
Vendin kryesor në punimet e këtij takimi e zunë diskutimet për Planin Ekonomik dhe të Investimeve (PEI) të Komisionit Evropian (KE) për rajonin, projektet rajonale të të cilit pritet të paraqiten nga liderët e Ballkanit Perëndimor (BP) në Samitin e Berlinit, në vijim të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, më 5 korrik.
Várhelyi: 30 miliardë euro investime për bashkëpunimin rajonal
Në samitin e Tiranës u njoftua se Procesi i Berlinit, i inicuar nga kancelarja Merkel në vitin 2014, për t’i dhënë impulse të reja procesit të hyrjes në BE të vendeve të BP, pas 6 takimeve të tij, në Berlin, Vjenë, Paris, Londër, Poznan dhe Sofie do të vijojë të jetë një instrument i fuqishëm i progresit ekonomik dhe social në BP për të shtruar rrugën drejt hyrjes në BE..
Burime zyrtare thanë për DW se në Samitin e Berlinit, muajin e ardhshëm, pritet të miratohen nga Komisioni Evropian projektet rajonale të PEI, që përfshijnë dy apo më shumë vende të BP, që janë dakordësuar paraprakisht nga liderët e këtyre vendeve.
Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi , në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrim Rama tha se bashkëpunimi rajonal, nëse funksionon, do të sjellë një plan prej 30 miliardë euro investime në rajon.
Balkan Gipfeltreffen mit den Staats- und Regierungschefs der westlichen Balkanländer Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi
“Jemi të gatshëm të ri-konfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë me PIanin Ekonomik dhe të Investimeve, që mobilizon një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të rajonit, rreth 30 miliard euro në formë investimesh në rajon. Kemi një marrveshje në BE për financimin e këtij plani, në Këshillin Europian dhe Parlamentin Europian për programin e fondeve të para aderimit. Por ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se nuk kemi një treg rajonal” – paralajmëroi Várhelyi.
Kryeministri Rama e cilësoi PEI prej 30 miliardë euro ” një instrument kyç, që do na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post-pandemike, të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme.”
Balkan Gipfeltreffen mit den Staats- und Regierungschefs der westlichen Balkanländer Edi Rama
“Mbetemi të vendosur për projektin e Shengenit rajonal, një projekt strategjik, me përfitime ekonomike, sociale dhe politike për rajonin” theksoi kryeministri Rama duke vënë në dukje që “nuk ka rëndësi sesi quhet ky projekt, mjafton të jetësojë katër liritë” duke kuptuar lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitaleve. Ai e quajti Procesin e Berlinit ” zanafillën e bashkëpunimit rajonal”.
Në deklaratën përfundimtre të Samitit të Sofies, të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të Procesit të Berlini, liderët e BP u zotuan “të forcojnë bashkëpunimi rajonal si një mënyrë për të përparuar në rrugëtimin drejt hyrjes në BE”. PEI prej 30 miliardë euro ka të bëjë me përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale, të interkonjektivitetit, sektorit të energjisë dhe të digjitalizimit në gjashtë vendet e BP.
“Ky plan përbën lëvizjen më të madhe historike të BE ndaj Ballkanit Perëndimor” tha në Samitin e Tiranës, kryeministri Rama.
Várhelyi: Qershori dhe ky vit, muaji dhe viti i BP.
Komisioneri Várhelyi i mbajti gjallë shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për zhvillimin potencial, këtë muaj ose këtë vit të Konferencës së parë Ndërministrore të BE, në kushtet kur konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që mban peng zhvillimin e kësaj konference ende nuk është zgjidhur
Ai theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama se “BE po punon fort për zgjidhjen e këtij konflikti, madjeedhe pas kuintave. BE dhe Komisioni Europian, (KE) janë të përkushtuar të gjejnë zgjidhje, por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duam që kjo të ndodhë.. Ky muaj, ky vit, mund të jetë vërtetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor” parashikoi komisioneri Várhelyi
Kryeminisistri Rama e përligji situatën e pritjes të zgjidhjes së mosmarrëveshjes Bullgari – Maqedoni e Veriut me zhvillime që nuk varen nga Shqipëria, “pasi ajo i ka kryer të gjitha detyrat e saj” por varen nga “mënyra sesi funksionon sistemi i zgjerimit, që kërkon zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut para se të vazhdojë procesi”.