Maqedoni

Varfëria shuan ëndërrat e këtyre fëmijëve nga Haraçina

Kriza ekonomike dhe shtrenjtimet e përditshme kanë lënë përgjysmë ëndrrat dhe dëshirat e shumë fëmijëve dhe familjarëve të tyre. Në familjen Bekiri në Haraçinë, katër fëmijët e moshës nga 8 deri në 14 vjet nuk mund t’ju gëzohen rrobave të reja e as ushqimeve të llojllojshme sepse muaji në këtë familje 6 anëtarëshe mbyllet me 12 mijë denarë.

“Çka të pëlqen me hëngër? Çka na përgatitin në shtëpi? Në shkollë a merr diçka me veti? Jo. Kisha pas dëshirë me pas shtëpinë e madhe, me hëngër plot, krejt të mirat. Dëshiroj me pas më shumë rroba, mos me u mërdhi dimrit. A ke për sivjet këpucë, çizme ose patika? Po, i kam, mi kanë dhënë. Të gjitha teshat na i kanë dhënë se s’kemi pas mundësi me i ble. Ti, çka kishe dëshiru, çfarë rroba? Rroba, të reja”, tha një fëmijë.

Nëna Latife Bekiri tha për Alsat se rritja e çmimeve të thuajse të gjitha produkteve ka zbrazur frigoriferin e shtëpisë. Siç rrëfen ajo, produktet më të shpeshta që kanë mundësi t’i blejnë janë kos, supë ose edhe pak mish pule për fëmijët.

“Rryma na ka ardhur tre muaj nga 4 mijë denarë tash na ka ra deri në 2.500. E paguajmë se na ndalin. Po, çka ju mbetet për ushqim, a keni siguruar miell, dru, ato që janë më të nevojshme. Drutë na i ka ble djali i dajës, na ndihmon nga pak. Për shtrenjtë mos pyet, me 50 euro kurrgjë s’mund të marrësh, vetëm një e shkuar në dyqan, aq. A ka ndodhë që disa sende që i keni ble më parë tash mos me mund me i ble? Ato kurrë s’mund ti blej, në gjysmë. Vetëm këtë dhomë e ngrohni me dru? Po, vetëm këtë, këtu flemë, këtu të gjitha. Dhomat tjera a i ngrohni me diçka? Jo, edhe një dhomë e kemi, shtëpinë na e kanë ndërtuar bamirësit”, u shpreh Latife Bekiri, nënë.

Përveç krizës ekonomike, familja Bekiri po paguan shuma të mëdha parash për problemet shëndetësore me të cilat përballet kryefamiljari, Qamil Bekiri. Tash 12 vjet ai ka kryer disa intervenime ndërkohë që tani nuk po i gjendet shërim për heqjen e gurëve nga veshkat.

“Me pas mundësi me më ndihmuar dikush me i heq gurët ma mirë nuk kërkoj, të lirohem dhe të dal, po kam dëshirë vet të punoj jo me i mërzit të tjerët. Çka të kanë thanë, a bëhet ai operacion te ne? Te ne nuk më kanë garantuar, te Sistina po ama mbi 8 mijë euro e më shumë. Mbi 100 euro ishte nata, ju e dini se si është privat. Aty më kanë thënë operacion me prerje por më thanë se kam bronkit, duhet të qëndroj 2 javë të shërohem bronkitin pastaj me ti heq gurët. Më tha se kushton, sa saktë nuk më kanë treguar, mbi 8 mijë euro”, tha Qamil Bekiri, kryefamiljar.

Familja Bekiri është vetëm një nga familjet që kriza ekonomike thuajse e ka shkatërruar tërësisht. Sipas një analize, produktet që para një viti janë blerë me 1000 denarë tani janë rritur për 366 denarë apo mbi 35 për qind. Rritje më të madhe ka te buka, qumështi, vaji dhe mishi./Alsat.mk

Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
070 531 360 Qamil Bekiri, Haraçinë.