April 30, 2024
Kosovë

Vajza dhe gruaja e Kurtit nuk i blenë – shkuan në Kanë me fustane të huazura

Veshja e vajzës së Albin Kurtit në Festivalin e Kanës, në premierën e filmit kosovar “Pa vend”, mori shumë reagime.

Lea kishte të veshur fustanin “Strawberry Dress” të disenjatores Lirika Matoshi që ishte bërë viral në rrjete sociale e i cili, sipas llogarisë së kreatores, kushton hiç më pak se 490 dollarë.

Por, po del se ky fustan dhe dy të tjerët e gruas së shefit të qeverisë kosovare nuk u blenë. Ato vetëm u huazuan dhe të njëjtit do t’i kthehen disenjatoreve Teuta dhe Lirika Matoshi.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

“I quajtur “The Strawberry Dress,” fustani me dredhëza të vogla të qëndisura, u bë ndër veshjet më të popullarizuara në internet gjatë kohës së pandemisë. Në Festivalin e filmit në Kanë, ku sot u dha premiera botërore e filmit nga Kosova, “Pa vend”, vajza e kryeministrit, Lea pati të veshur fustanin e dizajnuar nga Lirika Matoshi, i punuar nga gratë e Kosovës”.

“Kryeministri ndodhet në Kanë në përkrahje të filmit kosovar dhe bashkëshortja e tij, ka huazuar dy fustanë për veten dhe fustanin me dredhëza për të bijën, të disenjuara nga kreatoret kosovare Teuta dhe Lirika Matoshi. Me t’u kthyer në Prishtinë fustanët do t’u kthehen kreatoreve”, ka thënë Kelmendi.