Maqedoni

UT propozon që pas Maqedonisë, Dita e Alfabetit të shpallet festë shtetërore edhe në Shqipëri dhe Kosovë

Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit 2023, e udhëhequr nga kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e ka miratuar njëzëri Propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Pas miratimit të propozimit të sipërpërmendur, Universiteti i Tetovës përmes një kërkese zyrtare u është drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë (Presidencave, Kuvendeve, Qeverive, Akademive të Shkencave dhe Arteve, si dhe ambasadave të shteteve përkatëse), që kjo datë me rëndësi kombëtare të zyrtarizohet si festë shtetërore në këto dy shtete.
Në kërkesë thuhet: “Duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Ditës së Alfabetit Shqip, kur në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, në vitin 1908 u tubuan atdhetarët më eminentë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike; faktin e pamohueshëm se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, kongres në të cilin u vunë bazat e shkrimit shqip; se ndryshoi qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare; rolin e tij në ruajtjen e identitetit shqiptar, pikërisht falë shkrimit të njësuar shqip; Senati i Universitetit të Tetovës ka miratuar njëzëri Propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës”.
Më tej, në kërkesën e lartpërmendur, drejtuar institucioneve dhe autoriteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, theksohet se me këtë akt (shpalljen e Ditës së Alfabetit shqip – festë shtetërore) qeveritë Tuaja do të dëshmonin për një sensibilizim të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do ta nderonin veprën e çmuar dhe kolosale të të parëve tanë, të cilët nuk e kursyen kontributin e tyre, me të vetmin qëllim që, gjeneratë pas gjenerate populli ynë t’i gëzohet një unifikimi gjuhësor dhe shkronjat shqipe të jenë të mirëvendosura në themelet tona kombëtare.
Nga Universiteti i Tetovës veçojnë se, ruajtja dhe forcimi i identitet shqiptar në Shqipëri u bë me hapjen e Universitetit të Tiranës, në Kosovë me themelimin e Universitetit të Prishtinës, kurse te ne në Maqedoninë e Veriut me themelimin e Universitetit të Tetovës, në vitin 1994. Në përmbyllje të kësaj shkrese zyrtare drejtuesit e këtij institucioni sjellin në vëmendje rrethanat, në të cilat u themelua Universiteti i Tetovës, që ishin po aq komplekse me rrethanat e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. “Të vetëdijshëm për rolin që ka Universiteti ynë në avancimin e proceseve historike, debatin që zhvillohet në këtë arenë të intelektualëve shqiptarë në vendin tonë dhe jo vetëm, ku gërshetohet diversiteti arsimor, shkencor e kulturor, kërkesa e sipërpërmendur ka për qëllim formësimin e vizionit tonë gjithëkombëtar. Mbetemi me shpresë se do ta shqyrtoni Propozimin e Senatit të Universitetit të Tetovës, dhe të njëjtin do ta miratoni”- theksohet në kërkesën e Senatit të Universitetit të Tetovës.
Propozim i njëjtë i është dërguar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë edhe në të kaluarën, përkatësisht në muajin mars 2014, si dhe në dhjetor të vitit 2020.