May 12, 2024
Rajon - Botë

Ushtria izraelite shënjestron gazetarët në fshatin kufitar të Libanit

Ushtria izraelite me predha raketash ka shënjestruar ekipe të mediave dhe gazetarë në fshatin kufitar Yaroun në jug të Libanit, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA tha se të paktën dy predha raketash u hodhën drejt ekipeve të mediave që ishin atje për të mbuluar zhvillimet në zonat kufitare midis Libanit dhe Izraelit.

Sipas NNA-së, nuk raportohet për të lënduar në mesin e gazetarëve.

Megjithatë, autoritetet libaneze të sigurisë u kërkuan ekipeve të mediave që të qëndrojnë larg zonës nga frika e “bombardimeve të zgjeruara armiqësore”.

Javën e kaluar, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve njoftoi se të paktën 39 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Rripin e Gazës së rrethuar që nga 7 tetori.

Sot herët, dy libanezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që goditi një ndërtesë në qytetin Ainata në Libanin jugor.

Përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Libanit është rritur tensioni mes shkëmbimeve të të zjarrit midis forcave izraelite dhe Hezbollahut, duke shënuar përleshjet më vdekjeprurëse që kur dy palët luftuan një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.

Tensioni kufitar vjen pasi Izraeli zgjeroi operacionet e tij ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi në qytetet kufitare izraelite më 7 tetor.