Maqedoni

Ulet pak ndotja e ajrit në Shkup

Prej disa javësh në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në botë, Shkupi sot thithë ajër më të pastër. Sipas platformës për matjen e cilësisë së ajrit ‘IQ Air’, kryeqyteti renditet në vendin e 57-të në botë. Ndërsa, Ministria e Ekologjisë ka njoftuar se është ndërprerë pragu i alarmit për ndotje ekstreme në Strumicë.

“Ndërpritet pragu i alarmimit në Strumicë. Sipas të dhënave nga Sistemit Shtetëror I Monitorimet të Cilësisë së Ajrit më 9.01.2025, koncentrimet mesatare ditore të PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 mg/m3, ndërsa në Strumicë është ndërprerë episodi prej dy ditësh radhazi i tejkalimit të pragut të alarmimit për PM10”, thonë nga Ministria e Ekologjisë.

Ndërkohë opozita maqedonase vazhdon akuzat ndaj pushtetit për ndotjen e ajrit. LSDM kërkon nga qeveria të mos e injorojë situatën dhe ti zbatojë masat e propozuara nga kjo parti.

“Shkupi, Tetova, Kumanova, Manastiri dhe qytete të tjera të Maqedonisë prej ditësh janë ndër më të ndoturit në botë, ku qytetarët mbyten në ajër të ndotur. Qytetarët me gjënë më të shtrenjtë – shëndetin e tyre – po paguajnë çmimin. Mjekët paralajmërojnë se korridoret dhe shtretërit e spitaleve po mbushen. Eko-aktivistët dhe Banka Botërore ngrenë alarmin se mbi 3000 njerëz vdesin çdo vit në vend nga ndotja e ajrit”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

LSDM kërkon që të kryhen inspektime në kantieret e ndërtimit dhe të ndalohen punimet e ndërtimit në qytetet me ndotje të shtuar. Punëdhënësit të përjashtojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë në ditët me ndotje ekstreme. Riorganizimi i orarit të punës për punëtorët në natyrë, respektivisht të nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Kuzeska kujtoi masat e propozuara nga LSDM, të cilat përfshijnë ndalimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore në natyrë gjatë niveleve të larta të ndotjes së ajrit. Ndërkohë autoritetet kanë theksuar në vazhdimësi se po punohet në drejtim të përmirësimit të situatës, ndërsa zgjidhje shihet gazifikimi i tërësishëm, i cili sipas tyre kërkon kohë./Alsat.mk