June 3, 2024
Maqedoni

UEJL-i hapi dyert për studentët e rinj, shtohet fakulteti i shtatë i shkencave teknike

Universiteti i Evropës Juglindore sot ka hapur dyert për të gjithë maturantët e vendit dhe rajonit, duke ua prezantuar programet studimore. Sipas udhëheqësisë së UEJL-it, këtë vit do të kemi edhe një fakultet të ri dhe programe të reja studimore.
“Sivjet kemi edhe fakultetin e shtatë të shkencave teknike pas atij të gjashtit të shkencave mjekësore. Gjithë këta do t’i ofrojmë me programet e caktuara studimore, ofertat e reja akademike dhe risitë, përfshi edhe aspektet gjuhësore. Mbetemi pra universiteti i përkushtuar tre gjuhësor, me dominim dhe strukturë të stabilizuar studentësh. Nëse referohemi pesë-gjashtë vite më pas, shohim një strukturë multietnike, me dominim 70 për qind e studentëve që studiojnë në gjuhën shqipe, 20 për qind e studentëve në gjuhën angleze dhe rreth 10 për qind në gjuhën maqedonase. Kjo strukturë, përfshi edhe studentët ndërkombëtarë, shkon me tendencë më shumë me ofertat në gjuhën angleze.”, – deklaroi rektori i UEJL-it, Abdylmenaf Bexheti.
Maturantët e intervistuar nga TVM2 thanë se UEJL-i po ofron kushte të mira për studime.
“E gjeta! Kam kërkuar shumë për Marrëdhënie Politike dhe m’u dha mundësia që nëse jam nxënësi shkëlqyeshëm, të paguaj më lirë. Ofron kushte të mira. Konvikti më pëlqeu shumë dhe jeta studentore këtu.”, – tha një maturant.
“Për mua nuk ishte programi për studime për Stomatologji, por për studentët tjerë, po. Shumë kushte të mira ofronin.”, – u shpreh një maturant tjetër.
Krahasuar me pesë vite më parë, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë në të gjitha universitetet publike e private është përgjysmuar.