Maqedoni

U ratifikua Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e diasporës mes Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë

Ministri i diasporës, Xhemail Çupi njoftoi se në Seancën e 88 -të plenare të Kuvendit të RMV-së e mbajtur më 3 nëntor, 2022 u ratifikua Marrëveshja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e diasporës e nënshkruar më 05.02.2021 në Tiranë.

Me ratifikimin e kësaj Marrëveshje, marrëdhëniet dypalëshe ekzistuese mes dy shteteve do të avancohen dhe forcohen edhe më tepër me synim që të kontribuohet në objektivat gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit të ndërsjellë, e sidomos në fushën e diasporës mbi parimet e barazisë dhe përfitimit reciprok.

“Kjo Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës do të shërbej si një instrument me vlera për forcimin e marrëdhënieve mes shtetasve të të dy vendeve e cila do të realizohet përmes shkëmbimit të përvojave me anë të realizimit të aktiviteteve të përbashkëta, të vizitave të drejtuesve dhe ekspertëve, si dhe përmes konferencave apo aktiviteteve të tjera të përbashkëta”, njoftoi ministri Çupi.

Me qëllim të zbatimit të kësaj marrëveshjeje në të ardhmen e afërt do të krijohet një Komision i përbashkët i cili do të takohet periodikisht në Shkup dhe Tiranë.