Maqedoni

“U prezantua rrejshëm si agjent i shërbimi sekret”/Prokuroria me detaje rreth rastit të zhvatjes në Shkup, ku një personi iu mor pasuri në vlerë të 180.000 eurove

Prokuroria ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin e personit I.J. nga Shkupi i cili dyshohet se ka zhvatur 180.000 euro nga 54-vjeçari me iniciale M.G. nga Shkupi, shkruan TV21. Nga Prokuroria thonë se personi në fjalë përveç veprës penale “zhvatje”, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Prezantimi rrejshëm”, respektivisht ai ka zhvatur gjësende dhe para nga i dëmtuari, duke u prezantuar si agjent i Agjencisë për Siguri Kombëtare.

“I dyshuari, duke u paraqitur si punonjës i ASK-së dhe ndërmjetës për shlyerjen e një borxhi, ka ushtruar presion ndaj 54-vjeçarit të dëmtuar, udhëheqës i një kompanie, duke e kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes dhe në disa raste ai mori para, tre vetura, dy celularë, unaza floriri dhe bizhuteri të tjera”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata tashmë ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditorë ndaj të dyshuarit./tv21.tv