May 3, 2024
Kosovë

U mbajt manifestimi i 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt sot manifestimi gjithëpopullor, në nderim të 25 vjetori të “Epopesë së UÇK-së” dhe në kujtim rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.
Në këtë manifestim, u mbajt ceremonia e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, ku morën pjesë liderët shtetërorë si Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovë, zyrtarë të lartë të MM-së, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FSK-së, si dhe autoritete tjera politike, diplomatike dhe ushtarake vendore, ndërkombëtare si dhe qytetarë.

Në fillim të ceremonisë, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi i raportoi Presidentes Osmani gatishmërinë e trupave të FSK-së për të shënuar “Epopenë e UÇK-së”.

Në vazhdim, Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, parakaluan para kuadrateve të rreshtuara të FSK-së.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj, theksoi se kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të tre mijë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh. Më tej, Presidentja Osmani shtoi se në ditët e Epopesë kujtojmë jo vetëm ata që dhanë jetën për liri, por edhe trimërinë e guximin e gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur vendin dhe kombin tonë.

Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi se lufta e ndezur në Prekaz e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e Aleancës së NATO-s e veçanërisht të SHBA-së, që u përfshinë më pas në luftë për t’i dhënë bashkë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në vitin 1999.

I pranishëm në ceremoninë e shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, si mysafir nderi ishte Rifat Jashari, kryefamiljar i familjes Jashari, duke shprehur respektin për të gjithë dëshmorët e rënë për liri, tha se është krenar që sot është para Ushtrisë së Kosovës, e cila është pritur prej shumë brezash.

Në kuadër të manifestimit, trupa muzikore e FSK-së ekzekutoi pika muzikore të përzgjedhura për këtë ceremoni.