April 26, 2024
Lajmet e rejaRajon - Botë

U futën në pistë dhe u ngjiten në aeroplan, ambientalistët “ngjyrosën” fluturaken e “Air France” dhe vendosën mbishkrime

Një aeroplan i aviokompanisë “Air France” pa ndonjë plan “është lyer”, kur një grup i aktivistëve të Greenpeace u futën në pistën e aeroportit të Parisit, Charles de Gaulle.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë qenë të brengosur dhe habitur me vandalizma të tilla. Nëntë anëtarë të ambientalistëve kishin kaluar rrethojat mbrojtëse të aeroportit, transmeton Telegrafi.

Të veshur me rroba të verdha dhe bardha “ngjyrosën” aeroplanin e parkuar Boeing 777, brenda të cilit nuk kishte pasagjerë. Ata e ngjyrosën një pjesë të trupit të aeroplanit me ngjyrë të verdhë.

E një grup tjetër që kishin shkallë ishin ngjitur mbi fluturaken, duke valëvitur transparentë me mbishkrime: “A ekziston ndonjë pilot që do ta shpëtojë klimën?” dhe “zgjidhja: më pak aeroplanë”.

Në anën tjetër sigurimi i aeroportit u shfaq menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk dihet nëse ka pasur arrestime. Siç raporton AFP, disa aktivistë kishin refuzuar të zbresin nga aeroplani, pavarësisht se vazhdimisht u bëhej thirrje ta bëjnë një gjë të tillë.