Turqia rrit 50% pagën minimale/ Erdogan: Do e kapërcejmë krizën!
Paga minimale e Turqisë është rritur me 50% për vitin 2022, njoftoi Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar gjithashtu se pasiguria e krijuar nga paqëndrueshmëria e monedhës dhe luhatja e madhe e çmimeve do të përfundojë së shpejti.
Vendimi hyn në fuqi nga 1 janari. Paga është rritur në 4250 TL (rreth 275,40 dollarë), tha Erdogan në një fjalim televiziv në kryeqytetin Ankara. “Rritja e pagës minimale është 50%, dhe është më e larta në 50 vitet e fundit”, tha presidenti turk. Lëvizja e tij prek në mënyrë direkte 6 milionë punëtorë.
“Besoj se me këtë rritje, kemi treguar vendosmërinë tonë për të mos lejuar që punonjësit të dërrmohen nga rritja e çmimeve”, theksoi ai. “Ka disa probleme tani por ne t’i kapërcejmë sa më shpejt të jetë e mundur“, shtoi Erdogan sipas të cilit, stabiliteti do të sigurohet me masa të reja në ditët në vijim, por nuk specifikoi se cilat do të jenë ato.
Valuta e Turqisë, lira, në muajt e fundit ka rënë në vlerat më të ulëta në histori në krahasim me dollarin amerikan dhe euron. Kjo pasi presidenti turk, insiston në politikën shumë të kritikuar për uljen e normave të interesit, megjithëse çmimet për konsumatorët janë rritur.
Presidenti turk, Erdogan ka kërkuar që të ketë kosto të ulët të huazimit të parave në mënyrë që ta stimulojë ekonominë, të nxisë rritjen ekonomike dhe eksportin si dhe të krijojë vende pune. Ai është betuar se do të ndalojë ciklin e një ekonomie të varur nga “para të nxehta” afatshkurtra, të joshura nga norma të larta të interesit.