Maqedoni

Turi ballkanik, von der Leyen: Zgjerimi, në krye të KE-së. 6 mld euro për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar angazhimin e Unionit për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në një postim në rrjetet sociale, pas përfundimit të turit në Ballkan, von der Leyen shkruan se zgjerimi është në krye të axhendës së Komisionit Evropian.

Sipas Presidentes së KE-së, Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të luajë një rol të rëndësishëm në rrugën e vendeve drejt bashkimit me Unionin.

“BE-ja është plotësisht e përkushtuar për një të ardhme me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Bashkimit tonë. Zgjerimi është në krye të agjendës së këtij Komisioni Evropian. Kjo është një arsye më shumë pse isha e lumtur që vizitova Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën këtë javë, pasi vizitova Shqipërinë më 15-16 tetor. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të luajë një rol të rëndësishëm në rrugën e vendeve drejt Bashkimit tonë.

Do t’i afrojë ekonomitë tona më pranë njëra-tjetrës. Ky plan ka katër hapa: Ne do të hapim Tregun tonë Unik për bizneset nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të hapin tregjet e tyre për fqinjët e tyre, duke krijuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Kjo mund të rrisë PBB-në e tyre me 10%. Megjithatë, reformat pozitive janë thelbësore për krijimin e kushteve të barabarta. Këto reforma do të vijnë me investime”, shkruan von der Leyen.

Ajo përmend paketën e investimit prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilën shprehet se do të nxisë ekonominë dhe rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

“Ne kemi propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të nxisë ekonomitë e vendeve, do të krijojë vende pune të mira dhe do t’i mbështesë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Dhe këtë rrugë do ta ecim së bashku”, thekson von der Leyen.