Treni godet disa emigrant në hekurudhën Shkup-Gjevgjeli, 1 i vdekur, 5 të lënduar
Ministria e Punëve të Brendshme ka raportuar për një rast, ku një tren transportues ka goditur disa emigrantë dhe si pasojë njëri ka vdekur, kurse 5 të tjerë janë lënduar.
“Më 11.07.2021 në ora 00:40 është denoncuar se në hekurudhën Gjevgjeli – Shkup, në afërsi të stacionit hekurudhor në Krivollak, në fatkeqësi hekurudhore në të cilën kanë marrë pjesë treni transportues i cili ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjevgjeli – Shkup, janë lënduar disa emigrantë, kurse një person pas lëndimeve të marra ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Lëndime të rënda kanë marrë dy persona, kurse lëndime të lehta tre të tjerë, të konstatuara në spitalin e Velesit, Negotinës dhe Kavadarit”, thuhet në kumtesën e MPB-së, transmeton TV21.
Gjashtë emigrantë të tjerë të palënduar u janë dorëzuar policëve për procedurë të mëtutjeshme dhe është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes nga prokurori publik dhe nga ekipi kontrollues i Stacionit Policor në Negotinë.