Maqedoni

Transportuesit privat nesër me 200 autobusë do ta bllokojnë Shkupin

Ende nuk ka marrëveshje me transportuesit privat për nesër paralajmërojnë bllokada në kryeqytet. Nga “Sloboda prevoz” thonë se do të protestojnë deri sa nuk arrihet marrëveshje. Paralajmërojnë se gjatë ditës së nesërme 200 autobusë do të jenë barrikada në udhëkryqet kryesore në qytet, shkruan TV24.

Kemal Muriq nga “Sloboda prevoz” thekson se rreth 200 autobusë nesër do të jenë në rrugë dhe do të vazhdojnë të protestojnë derisa nuk ka ndonjë lëvizje në negociata.

“Nëse sot ende nuk arrihet ndonjë marrëveshje, që edhe nuk besoj, vazhdojmë me projektet e planifikuara, gjegjësisht me bllokada të plota tek udhëkryqi te ‘Mavrovasja’, Kryqi i Kuq, bulevardi ‘Ilinden’ në të gjithë katër korsitë në sipërfaqen nga Shatërvani deri te Kopshti zoologjik”, tha Muriq.

Ai potencoi se kërkojnë që të paktën të fillojë pagesa e avanseveqë të mund të blenë derivate për të vazhduar transporti.

“Kompromisi ynë tashmë është i njohur – të ulemi e të bisedojmë që të fillojë pagesa e të ashtuquajturave avanse që të mund të vendosim derivate nëpër autobusë dhe të vazhdojë transporti. Ndërsa, për pjesën e mbetur të borxhit të dakordojmë ndonjë dinamikë të pagesës. Qëndrojmë në dispozicion. Jemi fleksibil në atë pikëpamje”, tha Muriq.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme informon se për shkak të mbajtjes së paralajmëruar të protestës, me fillim në ora 06:00, nëpunësit policorë nga SPB Shkup do të ndërmarrin masa për regjim të posaçëm në komunikacion.

Regjimi i posaçëm në komunikacion do të vendoset në bul.”Ilinde” nga udhëkryqi në bul.”Ilinden” me bul.”Shën Klimenti i Ohrit”, deri në udhëkryqin nga bul.”8 Shtatori” dhe bul.”Ilinden” – udhëkryqi nga rr.”11 Tetori” dhe bul.”Koço Racin” (Kryqi i Kuq) dhe udhëkryqi nga bul.”Goce Dellçev” dhe bul.”Kërtse Misirkov” (Pallati i gjykatave).

Sektori për punë të brendshme Shkup apelon deri te të gjithë qytetarët që t’i respektojnë urdhrat që i japin nëpunësit policorë nëpër rrugët ku do të zhvillohet ngjarja me qëllim të sigurimit të të pjesëmarrësve në komunikacion.

Portalb paraprakisht informoi se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Sot Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”

D.m.th. të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Portalb është ndër mediat e para që ka shkruar për problemin me transportuesit privat, i cili pastaj u shndërrua në problem kryesor të qytetit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë ditës së nesërme, respektivisht me datë 05.12.2022 (e hënë), për shkak të paralajmërimit për protesta, me fillim nga ora 06:00, zyrtarët policorë nga SPB-Shkup do të ndërmarrin masa për regjim të posaçëm të komunikacionit.

“Regjimi i posaçëm i qarkullimit do të vendoset në Blv. “Ilinden” – nga udhëkryqi në Blv. “Ilinden” me Blv. “Shën. Klimenti i Ohrit Ohridski”, deri te kryqëzimi i Blv. “8 Shtatori” dhe Blv. “Ilinden” – udhëkryqi nga rr. Blv. “11 Tetori” dhe “Koço Racin” (Kryqi i Kuq) dhe udhëkryqi nga Blv. “Goce Dellçev” dhe Blvd. “Krste Misirkov” (Pallati i Gjykatave)”, thonë nga MPB.