Tmerr në Tetovë, 19-vjeçari dhunon vajzën 14-vjeçare
Prokuroria Publike në Tetovë ka nisur hetim kundër një personi për veprën penale – dhunim të një fëmije që nuk ka mbushur 15 vjet, në bazë të nenit 188 të Kodit Penal, përcjell TV21.
Siç qëndron në njoftimin e Prokurorisë, i dyshuari 19-vjeçar, më 12 prill, në afërsi të një marketi tek ndërtesa e vjetër e Universitetit të Tetovës, ka përdorur dhunë dhe kërcënim dhe ka dhunuar vajzën 14-vjeçare.
“Ai bashkë me një person të panjohur, e kanë pritur viktimën në një rrugë derisa ka shkuar në market. I dyshuari, edhe pse fqinj me vajzën, e ka tërhequr me dorë drejt veturës së parkuar në afërsi. Personi tjetër e ka hapur veturën me çka i dyshuari e ka goditur në fytyrë dhe e ka detyruar që të hyjë brenda në ulën e prapme. Me veturën ka ngasur një person i panjohur, i cili i ka mbyllur dyert dhe i ka dërguar 200 metra më larg, ku e ka parkuar veturën dhe ka dalë. Në ulën e prapme kanë mbetur i dyshuari dhe e dëmtuara, kurse ai duke përdorur dhunë e ka detyruar vajzën që të kryejë akt seksual. Më pas e ka lajmëruar personin e panjohur dhe bashkë me automjetin e kanë kthyer viktimën në vendin ku e kanë marrë. I dyshuari e ka kërcënuar se do ta vrasë nëse i thotë ndokujt për ngjarjen”, qëndron më tej në njoftim.
Të dyshuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.