May 3, 2024
Shqipëri

Tiranë, Robinson: Mbështetje e pakursyer nga ShBA-ja

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Tod Robinson, ia kushtoi vizitën në Tiranë mbështetjes së pakursyer të ShBA-së për institucionet e drejtësisë që i quajti të guximshme.

“Si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni. Në një pritje të organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë me krerë të institucioneve të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit në vend, Robinson tha se shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për reforma të vështira.”, – deklaroi ndihmës sekretari i shtetit, Tod Robinson.

“Ne do të mbështetemi tek ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju dhe unë mund t’ju premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë.”, – theksoi ndihmës sekretari i shtetit, Tod Robinson.

Në pritjen e ambasadës ishin krerë të sistemit të drejtësisë, por edhe përfaqësues së Qeverisë e politikës si ministri i Drejtësisë, Manja apo deputetet e opozitës, Tabaku dhe Çupi. Një takim zyrtari i lartë amerikan e kishte rezervuar në SPAK, institucioni që ka peshën më të madhe nga drejtësia e re, ndërsa pritet të takohet edhe me kryeministrin Rama për të udhëtuar më pas drejt Kosovës.