Shqipëri

Tiranë, mbahet samiti i tretë i diasporës

Shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, janë në një pozitë ku kanë peshën e tyre si asnjëherë më parë, dhe kjo është edhe fal kontributit të mërgatës shqiptare ndër vite, e që sot përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre. Kështu u tha në samitin e tretë të diasporës, që po mbahet në Tiranë, e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga rajoni, dhe mijëra qytetarë e bashkatdhetarë që kontribuojnë për vendin dhe familjet e tyre. Megjithatë u theksua se edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po përballen me diskriminim sistematik që rezulton me spastrim etnik. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mërgata është sublimim i përpjekjeve të gjata për shtet e pavarësi dhe se vazhdon të jetë katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë ata. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë.

“Përderisa jemi mbledhur këtu, mos të harrojmë se mërgata jonë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po përballet me diskriminim sistematik që rezulton me spastrim etnik. Ju themi se ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve,” deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton. Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar,” u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.