May 14, 2024
Maqedoni

Tetovës për herë të parë i bëmë korsi për biçikleta, thotë Teuta Arifi

Shkup, 26 prill – Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në Click Plus foli për korsinë e biçikletave në Tetovë. Ajo tha se Tetovës për herë të parë i kanë bërë korsi për biçikleta prej 3 kilometrash, duke shtuar se i kanë bërë sipas procedurave dhe sipas planit.

“Qytetit të Tetovës për herë të parë i bëmë 3 kilometra korsi për biçikleta”.

Sipas saj, korsit për biçikleta janë bërë sipas procedurave dhe planit.

“I bëmë si duhet sipas procedurave dhe në të njëjtën sipas planit i cili nënkupton 3 kilometra mundësi që të shfrytëzohen nga qytetarët tanë. Ka qenë shqetësues reaksioni për arsye se është e rëndësishme që gjërat të cilat i bëjmë në mënyrën më të mirë dhe me idetë më të mirë dhe normalisht është intervenuar, janë shikuar përgjegjësitë gabimet të cilat janë bërë në hapa dhe ato normalisht që janë në përmirësim e sipër dhe dëshiroj që të siguroj qytetarët e mi që do të kenë korsi biçikletash prej 3 kilometrash një diçka të re që qyteti nuk e ka pasur më përpara”, tha Teuta Arifi – kryetare e Komunës së Tetovës.

Arifi gjithashtu bëri të ditur se shumë se autobusët do të lëvizin nëpër qytetin e Tetovës shumë shpejtë por pa specifikuar saktësisht se kur.

“Ne kemi autobusët, kemi ndërmarrjen publike për transport që e kemi krijuar të re dhe flasim për gjëra që qyteti nuk i ka pasur përpara dhe që po i bën tani. Dhe nëse dikush mendon se të fillosh nga e para dhe t’i bësh qytetit transport publik nga e para që se ka pasur asnjëherë, t’i sjellësh autobusë që s’i ka pasur”.

“Sot pas 5 muajve flasim për gjëra reale dhe për autobusë që janë aty. Në të njëjtën kohë flasim për një procedurë e cila duhet të ecë edhe në punën e angazhimit edhe në punën e regjistrimit edhe punëve tjera teknike që janë pjesë e procesit. Por ajo që dua t’i siguroj qytetarët e mi është fakti që autobusët që nuk i kanë pasur asnjëherë do t’i kenë në rrugët e tyre dhe do t’i kenë në lëvizje në momentin kur tamam do të jenë të saktë dhe si duhet për të lëvizur”, tha Arifi