Maqedoni

Tetovë/ Akoma asnjë lëvizje për disperzimin e zjarrfikësve

Disperzimi i Njësisë territoriale kundër zjarrit në tre komuna si duket po shkon drejt dështimit. Shkak për këtë, sipas shefit të kësaj njësie në Tetovë, është bllokimi që bëhet nga kryetarët e komunave të Bogovinës dhe Tearcës, të cilët nuk gjejnë vend të përshtatshëm. Sipas Ametit nëse këto komuna refuzojnë bashkëpunimin, do t’iu ndërpriten shërbimet.

“Kemi gjet gjuhë të përbashkët vetëm me kreun e komunës së Zhelinës me çka javën e ardhshme do bëjmë edhe hapjen e qendrës në Zhelinë. Me komunën e Bogovinës kemi tentuar disa herë për të diskutuar për lokacionin apo vendin ku do vendoset pika e zjarrfikësit, megjithatë, në asnjë moment nuk kemi gjet gjuhë të përbashkët me këta kryetar komunash, siç është kryetari i Bogovinës dhe ai i komunës së Tearcës”, tha Avni Ameti, kryeshef i NJTKZ Tetovë.

Edhe pse me Ligj nuk është e lejuar themelimi i njësiteve zjarrfikëse në komunë rurale, kreu i Bogovinës Besnik Emshiu, tha se komuna do ta themelojë këtë pikë bashkë me Vrapçishtin, edhe atë si projekt ndërkufitar, në bashkëpunim me komunën e Cerrikut të Shqipërisë.

“Ne për momentin bashkë me komunën e Vrapçishtit, kemi fituar një projekt ndërkufitar me komunën e Cerrikut në Shqipëri, dhe ne jemi duke themeluar njësinë tonë komunale për zjarrfikës. Jemi në fazën e fundit madje të themelimit të kësaj njësie dhe së shpejti do themelohet e njëjta”, tha Besnik Emshiu kryetar i komunës së Bogovinës.

Ligji a e lejon këtë?

“Për momentin në bazë të Ligjit nuk lejohet por, shpresojmë që do kalojë në Ministrinë e Mbrojtjes për financim të bllok dotacioneve për njësinë e zjarrfikësve”, shtoi Besnik Emshiu kryetar i komunës së Bogovinës.

Kontaktuam edhe Komunën e Tearcës, nga ku thanë se punohet në drejtim të gjetjes së një lokacioni dhe realizimit të këtij projekti edhe më tutje. Me themelimin e lokacioneve të disperzuara, Njësia kundër zjarrit në Tetovë pritet të punësojë të paktën edhe pesëdhjetë zjarrfikës, ndërsa njësia territoriale kundër zjarrit, do të kaloj në Brigadë kundër zjarrit dhe do të jetë e dyta në vend, pas asaj të Shkupit./Alsat.mk