May 3, 2024
Kosovë

Tërnava: Njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit, ndihmojini ata duke ua ruajtur dinjitetin dhe krenarinë

Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit. Me këtë rast, kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, iu drejtua besimtarëve islam në Kosovë me një mesazh.

Ai iu bëri thirrje për unitet dhe solidaritet mes vete.

Tërnava theksoi se “njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona”.

“Mos i privoni ata nga e drejta në pasurinë tonë që zoti na dhuroj. Ndihmoni dhe mbështetni ata duke i ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre”, tha Tërnava në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë në Kosovë me rastin e muajit të madhërishëm të Ramazanit.

Urimi i Myftiut Naim ef. Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan:

Të nderuar vëllezër e motra,
Të dashur qytetarë!
Nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë
dhe i faljes. Çdo vit, të gjithë ne e presim këtë muaj me padurim, ngase
Zoti na ka nderuar me të. Është muaj në të cilin me të madhe përçohen
mesazhe urimi e përgëzimi, është muaj i lutjeve dhe adhurimeve, ku
shtohen dashuria për fenë dhe Zotin, muaj me mirësi dhe begati më të
shumta seç dikush mund t’i numërojë. Është muaj në të cilin besimtari i
sinqertë, përmes agjërimit, synon përsosjen e tij morale dhe etike, synon
ngritjen e nivelit të solidaritetit material në pikat më të larta, muaj që me
veprat dhe përkushtimin e lartë, synon lehtësimin e rrugës së besimtarit
për në Xhenet.
Në çdo Ramazan, ne mbushemi me më shumë shpresë e
dhembshuri, ngase ky është një muaj i bujarisë dhe mirësisë, një muaj
madhështor në të cilin përkushtimi dhe devotshmëria shtohen dhe
besimtarët ndjejnë gëzim edhe më të madh në zemrat dhe shpirtrat e
tyre, muaj i cili edhe më shumë na bashkon dhe na e forcon unitetin
ndërmjet nesh.
Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e
Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të
forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri,
për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe
besimin në Zotin e Madhëruar.
Muaji i bekuar Ramazan është muaj që Zoti xh.sh. e veçoi nga
muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtyte të larta dhe mirësi të
pakufishme. Në Ramazan, që me të drejtë quhet zotëria i muajve të tjerë, përmes melekut Xhibril, tek i Dërguari Muhamed a.s., u zbrit edhe
shpallja fisnike, siç Zoti xh.sh. e thotë: “Muaji Ramazan është muaji
në të cilin zbriti Kurani, udhërrëfyes për njerëzit.”
Në Ramazan, bashkë me Kuranin, zbriti dhe zbret mëshira,
shumëfishohen shpërblimet e veprave dhe punëve të mira, falen mëkatet
dhe veprat e liga, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të
Xhehenemit.
Ramazani, përveçse është muaj kur shpallja e qiellit ndriçoi
errësirën e tokës, është gjithashtu edhe një epokë e re në të cilën
njerëzimi mori mesazhet e fundit nga Zoti, mesazhe këto që
përfaqësojnë një pikë kthese në rrugën e njerëzimit.
Është muaj i agjërimit që konsiderohet një nga pesë shtyllat e
Islamit, pasi besimtarët abstenojnë nga ushqimi dhe pija dhe qëndrojnë
larg nga gjërat e ndaluara nga agimi deri në perëndim.
Agjërimi është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin
xh.sh., është një nga veprimet më të mëdha të afërsisë, është praktikë e
të drejtëve dhe simbol i të devotshmëve, pastron shpirtin dhe përsosë
karakterin, është shkolla e devotshmërisë dhe vendbanimi i udhëzimit.
Kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur
rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë
me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Në këtë natë të madhe dhe në këtë atmosferë hyjnore, ftoj
besimtarët tanë kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen
me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar
lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe
skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke
refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.