Tenderët zhysin në korrupsion ministritë dhe komunat
Ministritë dhe komunat në RMV, janë të zhytura në korrupsion. Këtë e tregon raporti i fundit i qendrës për komunikime civile. Sipas QKC-së asnjë ministri apo komunë në vend nuk ka nivel të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni në furnizimet publike. QKC ka publikuar renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve për performancën kundër korrupsionit në furnizimet publike.
QENDRA PËR KOMUNIKIME CIVILE
“Asnjë institucion i vetëm nuk është në zonën e gjelbërt, të mbrojtjes së lartë ndaj korrupsionit, me një performancë antikorrupsion me mbi 80 %. Katër ministri dhe 43 komuna gjenden në zonën e kuqe, gjegjësisht furnizimet e tyre publike kryhen me nivel të ulët të mbrojtjes nga korrupsioni, sepse kanë performancë kundër korrupsionit më të ulët se 50%”.
Sipas renditjes, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare kanë ekspozimin më të lartë ndaj korrupsionit ndërsa me performancën më të mirë kundër korrupsionit, arritja e së cilës është 72 % janë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.
Sa i përket komunave, niveli më i ulët i performancës kundër korrupsionit në furnizimet publike është përcaktuar në Kratovë dhe Gostivar. Në zonën e kuqe ndodhet qyteti i Shkupit, si dhe 40 komuna të tjera. Performancën më të mirë kundër korrupsionit në prokurimin publik e ka Komuna e Kavadarit me 70%, si dhe Komuna e Velesit dhe Probishtipit me 66 %.