Lajmet e reja

Të shtënat në dasma! Dy të plagosur në rajonin e Pollogut, shmanget tragjedia

Dy persona janë plagosur në rajonin e Pollogut nga të shtënat me armë zjarri në ahengje familjare që nga nisja e këtij sezoni. Një në Çellopek të Tetovës dhe tjetri në fshatin Çegran të Gostivarit. Zëdhënësi i sektorit për punë të brendshme Tetovë zbulon se rastet janë plagosje nga plumbat qorr.
“Siç e filluam sezonin nuk kishim raste. Dy rastet e fundit, njëri në Çegran një zonjë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj pësoi lëndime nga një plumb i pa destinuar, kështu pjesëtarë të SPB Tetovë si të dyshuar të armës së zjarrit kanë arrestuar 13 persona ku janë mbajtur në stacionin policor dhe punohet në zbardhjen e rastit. Rasti dytë është në Çellopek të Tetovës ku një person duke qëndruar në qendër të fshatit është goditur në kokë nga një plumb i pa destinuar dhe për fat të mirë ka përfunduar me lëndime jo serioze”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.