Maqedoni

Të rinjtë në RMV nuk janë të kënaqur nga politikanët!

Politika është prezente në çdo hapësirë dhe institucion në vendin tonë dhe doemos të rinjtë dëgjojnë se çfarë po ndodhë me ngjarjet në vend, mirëpo një pjesë e të rinjve shumë pak i njohin udhëheqësit politikë, por edhe nuk shprehin gatishmëri për t’u përfshirë as edhe në debate politike. Ndërsa pjesa tjetër shprehen të pakënaqur nga politikanët. Nga periudha para zgjedhore po shohim çdo ditë e më shumë të rinj që nuk janë të kënaqur nga kandidatët e partive politike, një numër i konsiderueshëm ende nuk dinë se cilën parti do të votojnë në zgjedhjet e majit.

Aktivisti Gentuar Ismaili, deklaroi se një nga arsyet kryesore se përse të rinjtë nuk janë të kënaqur nga politikanët është se në vend nuk ka lider politik i cili njihet nga lloji kauzës politike, por njihet nga ajo se kush më shumë e shan njëri tjetrin.

“Një ndër arsyet kryesore është se në RMV nuk ka lider politik i cili njihet nga lloji kauzës politike, por njihet nga ajo se kush më shumë e shan njëri tjetrin. Pastaj, partia politike nuk ka vija ideologjike, por më shumë njihet se kush më shumë ka qëndruar në pushtet ose opozitë. Arsyeja tjetër është se liderët e vjetër, lejojnë, kyçjen e një personi të ri në ‘fushën e uzurpuar’ që ata e kanë ‘punuar’ me vite. Prandaj të rinjve nuk ju jepet hapësirë për t’i dëgjuar dhe për të marrë vendime, hapësira që ju jepet është vetëm fasadë”, tha Ismaili.