Kolumna

Të përkujtojmë heroin kombëtar, Ismet Jashari-Krenaria e kombit shqiptar

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

TË PËRKUJTOJMË HEROIN KOMBËTAR
(16. VI. 1967- 25.08. 1998)

ISMET JASHARI – KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shumë bija dhe bij luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare do të marrin pjesë në radhët e kësaj ushtrie të lavdishme. Edhe shumë shqiptarë të përndjekur nga regjimi sllav, sapo morën vesh për krismën e parë të pushkës i dhanë lamtumirën botës perëndimore dhe u radhitën në rreshtat e UÇK-së. Njëri ndër ata ishte edhe Ismet Jashari, i cili ia ngriti lavdinë kësaj ushtrie heroike, vendlindjes së tij Orizares, familjes dhe mbarë popullit shqiptar.

Marsi i pranverës më të bukur të vitit 1998 do ta sjellë trimin e lirisë në Kosovë. Kushtrimi do të jepej nga pushka e legjendarit Adem Jashari. Ky do të jetë kushtrimi i luftës për liri që do t`i përgjigjen shumë djem dhe vajza si nga vendi ashtu edhe nga mbarë trojet shqiptare e nga diaspora.

Ismet Jashari qyshkur ishte fëmijë në vendlindjen e tij, kishte filluar ta ndjejë në zemrën e tij të njomë vuajtjen e rëndë të robërisë së popullit shqiptar. Ismet Jashari u lind në fshatin Orizare, komuna e Likovës më 16 prill të viti 1967. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Pas kryerjes së tetëvjeçares Ismeti do të regjistrohej në shkollën e mesme të Kumanovës.

Në fillim të shkollimit të mesëm Ismeti do të binte në sy të pushtetit sllavo-maqedonas duke e quajtur, atë, si nacionalist, separatist dhe irredentist. Ismeti do të ishte ndaj këtij pushteti, armik i përbetuar dhe gjithsesi duhej të përjashtohej nga bankat e shkollës. Pas përjashtimit nga shkolla e mesme e Kumanovës ai do të vazhdonte shkollimin e mesëm në gjimnazin “Skënderbeu” të Preshevës.

Gjatë kësaj kohe Ismetit dita-ditës po i ngushtohej veprimtaria e tij patriotike duke u ndjekur në çdo hap të lëvizjes së tij nga organet e sigurimit. Në gusht të vitit 1989 ai detyrohet të emigrojë në Zvicër për të vazhduar veprimtarinë e tij patriotike e atdhetare me shumë shokë të tjerë të idealit që vepronin në emigracion.

Në mëngjesin e prillit të vitit 1989, gjegjësisht më 19. 04. 1989 kur u bë arrestimi i vëllait të tij Xhemajlit, Ismeti nuk ndodhej në shtëpi. Posa informohet për këtë ngjarje ai nuk do të kthehet më në shtëpi. Disa ditë qëndroi nëpër miq dhe pastaj u nis tek i vëllai i tij Murati në Zvicër. Derisa mbaroi gjykimi i vëllait Xhemajl me shokët si anëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës ai nuk do të kërkonte azil. Në vjeshtë të atij viti me vendim të shokëve të organizatës ai do të paraqitet si azil kërkues.

Organet zvicerane e caktuan në kantonin e Baselandit (BL), konkretisht në fshatin Gelterkinde. Ismet Jashari do të inkuadrohet (me vendim të organeve të organizatës) në këshillin e rrethit të LPRK-së për kantonin e Baselandit dhe më vonë do të zgjidhet kryetar i këtij këshilli. Ismeti në janar të vitit 1989 ishte fejuar me Habibe Myftari-Seferi nga Presheva.

Në fund të dhjetorit të vitit 1989 Myftari së bashku me të bijën Habiben shkoi në Zvicër. Ismeti do të martohet me Habiben, ndërsa dasma do të bëhet në banesën e të vëllait Muratit në Richterswil (Zh) me 31. 12. 1989.

Ismeti në Gelterkinden do të qëndrojë deri në mars të vitit 1993 dhe aty i lindin vajzat: Donika dhe Monika. Në mars të atij viti transferohet në fshatit Bubendorf (BL). Aty do i lindë vajza Marigona. Qëndroi atje deri në fund të dhjetorit të vitit 1994. Në janar të vitit 1995 transferohet në fshatin Moudon të kantonit Vaud (VD). Në Moudon do t’i lindin edhe dy vajza: Margarita dhe Arta. Më 07. 03. 1998 niset me shokë për Tiranë.


Në Shqipëri takohen edhe me shumë atdhetarë të ardhur nga Gjermania dhe vende tjera të Evropës. Më 11.03 198 futen në Kosovë, nëpërmjet tokave të Shqipërisë, atje ku ka pasur më shumë nevojë për luftëtarë, për ata që kanë ditur të mendojnë vetëm shqip.

Liria e një populli mund të fitohet vetëm me luftë do të shprehej shumë herë Ismeti nëpër tubime e demonstrata që do të mbaheshin nga bashkatdhetarët tanë në diasporë. Dëshira e tij ishte: më pak fjalë e më shumë vepra. Këtë dëshirë të kahëmotshme që e mbante në zemër do ta bënte reale.

Ismeti ishte biri i atdheut dhe popullit që ndër të parët do të futet në radhët e bijve më të dashur të vendlindjes, atdheut, kombit, duke u rreshtuar në radhët e luftëtarëve të lirisë. Do t’iu thotë lamtumirë të gjithëve me radhë: familjes, më të dashurve të tij pesë vajzave, shokëve dhe mbarë farefisit… Do të përshëndetej me të gjithë ata që aq shumë i deshi dhe e deshën në Zvicër e gjetiu… I përshëndeti të gjithë për t`u nisur nga Zvicra drejt tokës arbërore, në tokën stërgjyshërore, në tokën e tij të lashtë shekullore, sepse ai për atë gjithnjë jetoi dhe punoi.

Ishte pranvera e vitit 1998 kur Ismet Jashari biri i Orizarës së bashku me shokët e tij të idealit do t’ia mësyjnë Kosovës. Ata do të vijnë dhe do të futen thellë në zonat e okupuara të Drenicës legjendare për t`i thënë armikut sllav: kthehu mbrapa nga këto toka, se këto troje janë arbërore, se kurrë s’ka qenë kjo tokë sllave dhe kurrë s’ka për të qenë, deri sa të jemi ne të gjallë ose të vdekur.

Ky ishte trimi i lirisë, ishte ai që dha shpresë e shpirt, se gryka e Llapushës dhe mbarë trojet shqiptare nuk mund të pushtohen kurrë nga hordhitë barbare serbe. Ishte ky trim, ishte Ismet Jashari-Komandant Kumanova e shumë luftëtarë të tjerë. Këto trima të lirisë do t`i shohim kudo nëpër Kosovë, kudo në tokën e tyre arbërore, do t`i shohim kudo në Likoc, Drenoc, Lladrovc, Kleçkë, Jezerc, Qafë të Duhlës, Malishevë, gjithkund në Kosovë…

Ishin një, dy, tre. U bënë shumë. U bënë me mijëra e mijëra trima të lirisë që nuk e kursyen më të shtrenjtën jetën e tyre për liri e për atdhe…
Për shkak të konspiracionit, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin “Kumanova”.
Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari ndodhej me detyrë ushtarake në Dukagjin. Gjatë kthimit të tij në Kleçkë, Ismeti ra në një pritë të forcave serbe tek vendi i quajtur “Guri i zi”, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Ai u plagos në të dyja këmbët.

Gjatë zënies së Grykës legjendare të Llapushnikut më 9 maj të vitit 1998, Ismet Jashari, ende pa u shëruar siç duhet, mori pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë beden i pathyeshëm për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.

Pas zënies së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikave të tjera po aq të rëndësishme, në Qafë të Duhlës dhe në Grykë të Carralevës.

Në periudhën kohore nga fillimit i majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari-“Kumanova”, dhe shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, kanë përforcuar të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, prej Llapushnikut e deri në Qafë të Duhlës, prej Arllatit e deri në Bllacë, prej Komoranit e deri ne Blinajë.
Më 17 qershor të vitit 1998, tri ditë pas luftimeve në Grykë të Carralevës, Ismeti me bashkëluftëtarët kundërsulmoi forcat ushtarake jugosllave, të cilat bënin përpjekje për të depërtuar në drejtim të Luzhnicës.

Në këtë rast forcat armike u kthyen prapa në pozicionet e tyre në Qafë të Duhlës, ndërsa komandant “Kumanova” përforcoi pikën ushtarake të Luzhnicës, e cila ishte bërë pikë e pathyeshme e luftëtarëve të UÇK-së. Në fund të qershorit të vitit 1998, komandant “Kumanova” arrin t’i fortifikojë pikat e tij ushtarake në Carralevë, në Zborcë, në Blinajë, në Fushticë, në Terpezë, në Bllacë e kudo në territoret e vëna nën kontrollin e UÇK-së në jug të Drenicës dhe në Llapushë. Asokohe, Malisheva, në njëfarë mënyre ishte bërë kryeqendër e zonave të lira të UÇK-së, si dhe zona më e mobilizuar e luftës.

Në gusht të vitit 1998, Ismet Jashari përforcon edhe disa pozicione përgjatë rrugës Carralevë-Duhlë. Ai së bashku me një grup shokësh të tij ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të sulmojnë njësitet serbe në disa pika strategjike, siç ishin “Shtëpia e Pylltarit”, pastaj pikën te “Ura e Sahitit” e deri në hyrje të fshatit Belinc.


Në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij ka luftuar heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së. Emri i komandant “Kumanovës” asokohe ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjitha masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizoi rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, të Luzhnicës. Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant “Kumanovës”, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike.

Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës. Më 24 gusht 1998, forcat armike kishin shtuar rrezen e sulmit duke sulmuar me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, bie në altarin e atdheut, në Luzhnicë, trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, komandant Kumanova.

Në dhjetor të viti 1998, bashkëluftëtarët e komandant “Kumanovës” ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë t`i tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosën me nderime ushtarake, në Kleçkë.

Këto trupa, forcat armike i kishin dërguar në Shirokë, në përpjekje për t`ua humbur gjurmët. Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Për të nderuar emrin e tij gjatë vitit 2001, edhe brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila ka vepruar në zonën e Kumanovës, ka marrë emrin “Ismet Jashari”

LAVDI!