Të ashpërsohet qasja ndaj Serbisë
nga Daniel Serwer
Policia e Kosovës dhe forcat e NATO-s në veriun e vendit me shumicë serbe gjatë fundjavës penguan një kryengritje të armatosur. Një polic i Kosovës dhe tre terroristë u vranë dhe të tjerë u arrestuan. Por shumica duket se kanë shpëtuar. Serbia dhe përfaqësuesit e saj politikë të Listës Serbe në Kosovë kanë shpallur ditë zie. Kjo konfirmon mbështetjen e tyre për kryengritjen. Burrat e vegjël të gjelbër (term që përdoret për të përshkruar njerëz të uniformuar që nuk dihet prejardhja e tyre, shën.red.) duket se kanë gjetur strehë të sigurt brenda Serbisë.
Presidenti serb Vuçiq u takua më pas me ambasadorin rus. Vuçiqi u ankua për “spastrim brutal etnik” në Kosovë, për të cilin nuk ka prova. Nuk kemi asnjë konfirmim se Vuçiqi ka urdhëruar kryengritjen e armatosur. Por një nga shtyllat e tij kryesore në veri të Kosovës ishte i përfshirë. Gjëra të tilla nuk ndodhin pa dijeninë e Beogradit. Vuçiqi mund ta kishte ndaluar atë paraprakisht ose ta dënonte më pas. Ai nuk e bëri asnjërën.
Çfarë na tregon ky incident
Ky incident është konfirmim se Vuçiqi nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Dialogu Beograd/Prishtinë me këtë objektiv është mbulesë për qëllimin e tij real. Ai dëshiron ndarjen e katër komunave veriore me shumicë serbe. Ai do të preferonte ndarjen de jure dhe shpreson se suksesi rus në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta vërtetojë këtë objektiv. Por ai do të kënaqej, për momentin, për qeverisje de fakto të veçantë, në formën e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.
Prishtina ka treguar se policia e saj mund të trajtojë, me mbështetjen e NATO-s, një grup të armatosur rëndë prej disa dhjetëra militantë të përkushtuar. Por është po aq e qartë se automjete të blinduara serbe mund të hyjnë në Kosovë me lehtësi. Është më pak se 25 milje (40 km), ndoshta një orë me tank, nga pikëkalimi më i afërt kufitar serb në Mitrovicën veriore. NATO kohët e fundit ka përforcuar forcat e saj në Kosovë. Por nuk është e qartë nëse ata janë të pajisur apo të trajnuar për luftë kundër blindave.
Diplomatët amerikanë dhe evropianë mendojnë se Serbia nuk do të tentojë një veprim të tillë për shkak të pasojave politike. Por Vuçiqi e di më mirë. Ai po përpiqet të bindë botën se serbët po spastrohen etnikisht nga Kosova. Kjo do të mund të vërtetonte një pretendim që tanket e tij mbrojnë civilët. Kjo është arsyeja pse ai vazhdimisht pretendon, pa prova, se një spastrim i tillë etnik po vazhdon, siç bëri dje në një takim me ambasadorin rus.
Reagimi amerikan dhe evropian
Përgjigja perëndimore ka qenë e dobët deri më tani. Brukseli dhe Uashingtoni u kanë bërë thirrje “të dyja palëve” që të parandalojnë dhunën dhe përshkallëzimin e mëtejshëm. Kjo në mënyrë implicite barazon performancën e shkëlqyer të policisë së Kosovës me një kryengritje të armatosur ilegale që mund të kishte shkaktuar destabilitet në mbarë Ballkanin. Ata që janë përgjegjës për politikën ballkanike në të dy kryeqytetet nuk janë të gatshëm të pranojnë dështimin e përpjekjeve të tyre për të joshur Serbinë drejt perëndimit. Në vend të kësaj, ata po kërkojnë një kthim të shpejtë në “dialog”.
Një qasje alternative do të dënonte mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur, duke e etiketuar atë një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiqit dhe zyrtarëve të tij të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. NATO do të përgatiste forcat e saj në veri të Kosovës për mbrojtje kundër një pushtimi të blinduar. Perëndimi do të lavdëronte Policinë e Kosovës dhe do të kërkonte një gjykim të drejtë dhe të shpejtë për autorët në gjykatat e Kosovës. Ambasadorët në Beograd do të tërhiqeshin për konsultime.
Nevojitet një politikë e re
Ata do të mund të ktheheshin shpejt me një mesazh të vetëm: epoka e qetësimit ka mbaruar. Nëse Beogradi dëshiron anëtarësimin në BE, Serbia duhet të:
arrestojë dhe dorëzojë terroristët tek autoritetet e Kosovëstë heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve në Kosovërreshtohet me sanksionet e Ukrainës ndaj Rusisëpërkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.
Nëse Beogradi refuzon, BE-ja duhet të njoftojë se po i ngrin bisedimet e pranimit. ShBA-ja duhet të pezullojë bashkëpunimin ushtarak me Serbinë, duke përfshirë bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ohajos.
Uashingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë me serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Serbe. Përveç kësaj, Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente anti-serbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiqit për spastrim etnik. Prishtina duhet të hetojë menjëherë çdo incident që ndodh. Gjykatat duhet të gjykojnë menjëherë autorët.
Është koha për të rikonfiguruar politikën perëndimore për Serbinë dhe Kosovën. Rinovimi i qasjes aktuale do të sjellë dështime të reja. Një qasje më e fortë me Beogradin është hapi i parë i nevojshëm.
Shkrimi origjinal është botuar në “Peacefare”, ndërsa është përkthyer nga Klankosova.tv.