Maqedoni

Taravari: Maqedonia një herë ka zgjedhur president në Kuvend, pse mos ta bëjmë sërish

Kandidati për president nga opozita shqiptare, Arben Taravari në intervistë për “Zërin e Amerikën” shpjegoi kërkesën që kanë në ndryshimin e sistemit të zgjedhjes së presidentit në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Taravari thotë se zgjedhja e presidentit në Kuvend nënkupton racionalizim të procesit, pasi vendi është Republikë parlamentare. Tutje, Taravari merr si shembull edhe zgjedhjen e presidentit të parë të Maqedonisë, Kiro Gligorov, i cili u zgjodh si president i shtetit në Kuvend, e jo në zgjedhje përmes votimit të drejtpërdrejtë.

“Shikoni, presidenti i parë në Maqedoni, nëse ju kujtohet vitet e 90-ta, 91-ta, nëse nuk gaboj, u zgjodh zoti Kiro Gligorov dhe u zgjodh për herë të parë nga Kuvendi. Unë mendoj se kompetencat e presidentit të shtetit janë të njëjta si në disa shtete përreth. Ne shpesh dallohemi, krahasojmë me Kosovën apo Shqipërinë që kanë sistem të ngjashëm me tonin, sistem parlamentar. Unë mendoj se shteti nuk ka nevojë për shpenzime, mund të zgjidhet përmes Kuvendit siç e bëmë për herë të parë dhe ky është qëndrimi ynë… (sepse) ne nuk jemi sistem presidencial, por jemi demokraci parlamentare, mendoj se do të racionalizonim (me) një marrëveshje ndërmjet partive politike që përfaqësohen në Kuvend”, tha Taravari për VOA.