May 12, 2024
Maqedoni

Taravari: Ka poste që janë të ndaluara për shqiptarët, si kryeministër, president, ministër i Brendshëm

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën e tij për Top Channel u shpreh se nevojitet ndryshim te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Nevojitet trajtim më të dinjitetshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe se ndryshime të partive shqiptare duhet të ketë edhe te partitë politike shqiptare”, deklaroi kryetari Arben Taravari.

Kreu i ASH-së vuri në pah edhe diskriminimin e shqiptarëve edhe pse ata përbëjnë 30% të popullatës në Maqedoninë e Veriut.

“Shkoni në lagjet e Shkupit, të banuara me maqedonas dhe do të shihni që është një qytet mbase ndër më të mirët në rajon. Nëse kaloni në zonat ku jetojnë shqiptarët, për shembull në Çair, Butel ose Saraj, do të shihni sikur jeni në një botë tjetër”, thekson Taravaru duke shtuar se diskriminimi vazhdon edhe pse gjysma e kabinetit qeveritar përbëhet nga ministra shqiptarë.

Sipas kreu të ASH-së, janë disa pozita në shtet që janë të ndaluara për shqiptarët siç është ministri i Punëve të Brendshme, kryeministri dhe presidenti dhe kjo duhet të ndryshojë.