July 5, 2024
Maqedoni

Taravari i sigurt se BDI garon me Bejtën për Gostivarin

Sipas të gjitha gjasave kryetari aktual dhe ish kryetari i Gostivarit, Arben Taravari dhe Nevzat Bejta sërish do të përballen për të parin e qytetit. Në lokalet që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti ASH dhe AAA kanë mbetur vetëm ta konkretizojnë marrëveshjen për të garuar me Taravarin, kurse BDI më së voni nga fundi i kësaj jave e bën të ditur emrin e kandidatit për Gostivarin, i cili sipas gjitha zërave do të jetë Nevzat Bejta.

Arben Taravari është njëri nga kandidatët e mundshëm të ASH – AAA për Gostivarin. Vetë Taravari nuk e mohon një gjë të tillë dhe thekson se fushata në rrjetet sociale “Kë do të zgjedhësh” nuk ka të bëjë me zgjedhjet lokale. Sipas tij të gjitha anketat e deritanishme në Gostivari opozitën e nxjerrin më mirë se sa BDI – në.

“Ne nuk kemi filluar fushatë për zgjedhje pasi është herët dhe sipas asaj që dëgjojmë zgjedhjet do të mbahen me 17 tetor. Me siguri fushata do të nisë diku me 20 shtator, pra 20 e ca ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo është një fushatë të cilën e organizojmë si një grup e cila do ta shihni se kur të përfudnon, nuk do të ketë të bëjë me politikën. Vazhdimisht kemi pasur fushata si komunën e Gostivarit. Arben Taravari ende definitivisht nuk është kandidat i ASH-së, por me të gjitha gjasat njëri prej kandidatëve të mundshëm për komunën e Gostivarit, sepse në fund Arben Taravari duhet të jetë kandidatë i Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët. Për të qenë kështu duhet paraprakisht të nënshkruhet kontrata mes ASH dhe AAA, pastaj të mbahet Kuvendi i ASH-së dhe aty të konfirmohet kadidatura ime”, deklaron Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Taravari thotë se sipas informacioneve të tija, BDI në Gostivar do të garojë me Nevzat Bejtën dhe kandidatura e tij do të shpallet publikisht më së voni pas dy ditësh.

“Nuk ka taktizime. E shihni se edhe IRI, VMRO-ja dhe LSDM-ja që e mora sot si anketë, çdo kundi Aleanca është 5 -7 përqind para BDI-së. Nuk flasim për emra kandidatësh. Për emra kandidatësh ka kohë dhe plus fushata ku duhet bindur shumë njerëz të papërcaktuar, pasi në të gjitha anketat 40-50 përqind dalin njerëz të papërcaktuar. Diferenca flas te të dyja partitë, kushdoqoftë të del prej BDI dhe ASH në Gostivar, ajo është 5-7 përqind. Këtë e thotë IRI që ASH ka 22 përqind dhe BDI 17 përqind. Nuk flet për emra por për parti. Aspak nuk taktizojmë pasi në Gostivar terreni është i favorshëm dhe ne katër vite kemi bërë fushata sikurse edhe kjo e fundit. Ne kemi konsideruar se çdo të diel i kemi zgjedhjet dhe jo rastësisht anketat na nxjerrin me epërsi diku mbi 25 përqind në Gostivar. Taktizime nuk ka dhe tregoj hapur se një nga kandidaturat e mundshme është Arbeni dhe mund të del edhe ndonjë person tjetër nga ASH ose AAA që mendon se mund të konkurron më mirë se Arbeni. Te BDI shohim se rrotullohen tre-katër emra dhe sipas informatave që i marr deri nesër ose pasnesër BDI do ta shpall kandidaturën për Gostivarin. Sipas informatave që i marr unë, ai do të jetë ish kryetari i komunës së Gostivarit. Pas shpalljes së kandidaturave, shpresojë të kemi fushatë korrekte dhe më i miri le të fiton”, deklaron më tej Taravari.

Opozita shqiptare kërkon që me lokalet në vjeshtë të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas Taravarit pushteti duhet të insistojë vetë që të vendoset në filtër pas dështimit për negociatat me BE-në. Për Taravarin dështimi i negociatave nuk vjen nga vetoja Bullgare por nga korrupsioni i lartë në vend.

“Opozita e ka për obligim të kërkon zgjedhje por edhe pozita duhet të jetë e sinqertë dhe pasi shumicën që e ka është jo stablie dhe nëse jo në shtator ose tetor, dhe nëse ka ndryshim në shumicën e komumave për të cilën besoj se ashtu do të jetë, të pashmangshme janë zgjedhjet dhe pranvera e vitit tjetër do të sjellë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaron më tej kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fund të korrikut ose në fillim të gushtit do t’i shpallë zgjedhjet lokale të cilat duhet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Kjo, siç theksoi sot ai, do të varet nga informacionet kur përfundojnë mandatet e kryetarëve të komunave.