Taravari: Armiku më i madh është gjyqësori i korruptuar
“Si kandidat i koalicionit “Vlen” për president synoj të sjellim ndryshimin në vend.”, deklaroi Arben Taravari, duke theksuar nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, Taravari theksoi krizën e trefishtë, me të cilën përballet vendi si kriza ekonomike, politike dhe etike. Taravari si kandidat presidencial i opozitës shqiptare insiston për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, si dhe angazhimin për heqjen e përkufizimit fyes të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin mbi 20%. Gjuha shqipe me alfabetin e saj duhet të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e republikës në nivel të barabartë me maqedonishten, thekson Taravari. Sipas tij, megjithatë armiku më i madh është armiku i brendshëm gjyqësori i korruptuar.
“Sot vetëm 2% e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë dhe kjo është pasqyra më e qartë e gjendjes të sistemit gjyqësor, andaj një ndër prioritetet e mia si president do të jetë lehtësimi i reformave rrënjësore në sistemin e drejtësisë si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit në BE. Si president do t’i kërkoj Kuvendit sjelljen e një pakoje për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor. Kjo pako duhet të përmbajë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.”, – theksoi kandidati për president i “VLEN”, Arben Taravari.
Taravari në platformën e tij presidenciale paralajmëroi largimin e vendit nga Ballkani i Hapur, ndërsa thekson se BE-ja, ShBA-ja dhe NATO-ja janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm. Ai tha se do të angazhohem për harmonizim të plotë të politikës së jashtme me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Taravari thotë se si president do të dëgjojë edhe zërin e popullit dhe rinisë./TVM2