May 15, 2024
Maqedoni

Taksa shtesë e gazit do të rrisë çmimet për 20%?!

Sherri i fqinjit tonë lindor nga vendimi i së “premtes së zezë” të 13 tetorit sot e zuri Maqedoninë e Veriut. Nga 1 nëntori hyri në fuqi taksa e re për gazin natyror rus që do të tranzitohet përmes Bullgarisë. Fqinji lindor do të faturoj plus 10 euro për megavat orë të gazit si për Maqedoninë ashtu edhe për Serbinë, Hungarinë e Austrinë dhe vendet tjera të BE-së, të cilat furnizohen përmes gazsjellësit të Bullgarisë. Kjo kosto shtesë që qeveria bullgare e prezantoi si sanksion kundër Rusisë, do të shkaktojë një turbulencë të çmimeve në vendin tonë. Ndërkohë, autoritetet tona po kërkojnë një mënyrë për të anashkaluar këtë taksë, në mënyrë që të mos ketë implikime negative për ekonominë e vendit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nga kjo taksë rrezikon të rritet 20% çmimi i energjisë elektrike dhe energjisë termike.

“Ky tatim nuk duhet të zbatohet sepse kapaciteti i plotë hyrës drejt Maqedonisë së Veriut është dhënë nga ana e Bullgarisë prej Gazprom-it, që nënkupton që një taksë e tillë do të shkaktoj rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe energjisë termike tek ne deri në 20%. Prandaj kërkuam që të çlirohen kapacitetet që ti mundësohet shtetit tonë të furnizohet me gaz nga burime të tjera që nuk do të jetë gaz rus dhe nuk do të jetë i ngarkuar me këtë tatim shtesë. Ne vitin e kaluar me KE dhe Bullgarinë të çlirojmë kapacitetin për furnizim me gaz që nuk ishte në pronësi të Gazprom-it dhe shpresoj që edhe këtë vendim ta arrijmë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Përderisa Kryeministri zbuti retorikën, Ministri Ekonomisë tha se ky është shantazh që po i bëhet vendit dhe kërkuan nga Bashkësia energjetike Evropiane për të liruar sasitë e gazit që janë porositur për sivjet.

Këtë vendim të Kuvendit në Sofje e kundërshtoi Presidenti bullgar Rumen Radev duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese. Edhe opozita bullgare shprehet kundër zbatimit të kësaj takse si antikushtetuese. Derisa autoritetet maqedonase janë në kërkim të zgjidhjes se çfarë do të bëjnë apo ku do të blejnë gaz natyror në këmbim të gazit rus, Bullgaria tashmë ka marrë leje nga Komisioni Evropian për t’i përdorur paratë nga taksa për nevojat e shtetit. Por, KE akoma nuk ka kthyer përgjigje për ankesat e autoriteteve tona.

“Kemi pranuar ankesat e Maqedonisë së veriut dhe të njëjtat janë në shqyrtim. Sa i përket tarifave të ngarkuara nga Bullgaria për tranzitin e gazit rus në Serbi, Hungari dhe Maqedoni janë një masë e tyre kombëtare dhe prandaj i takon Bullgarisë të vendosë se ku do të shpërndahen ato të ardhura”, njoftojnë nga Komisioni Evropian.

Maqedonia aktualisht furnizohet vetëm nga gazsjellësi që kalon përmes Bullgarisë, ndërsa interkonektori përmes Greqisë akoma mbetet projekt, për ndërtimin e të cilit pritet të filloj nga fundi këtij viti. Vitin e kaluar vendi ynë siguroi 180 milion metër kub gaz, por nevojat e brendshme kërkonin 400 milion m3 gaz. Tarifa shtesë për tranzitimin e gazit natyror rus, mund t’i sigurojë Bullgarisë deri në 1.3 miliardë euro në vit, por do të rëndon ato vende që furnizohen, parasë gjithash vend ynë me ekonomi tejet të brishtë.