May 4, 2024
Kosovë

Takoi Vuçiçin në Bruksel, Kurti: S’ramë dakord për agjendën e takimit pasues, 3 propozime i refuzuan

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas takimit që pati paraditen e së martës në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiç. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Kurti shprehet se në Bruksel, bashkë me Besnik Bislimin, treguan qëndrimin e tyre kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme.

Po ashtu, kreu i qeverisë në Kosovë bën të ditur se ata shprehën gatishmëri për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik, kurse për agjendën e dialogut të ardhshëm Kurti bën të ditur se nuk pati dakortësim me palën serbe.

Kurti tregon katër propozimet që ai ka shtruar dhe informon se për të parin nuk mori përgjigje, kurse tre të tjerët u refuzuan.

POSTIMI

Në Bruksel, bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, e nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, sot u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga z. Vuçiq dhe z. Selakoviq.

Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.

Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.

Sot pasdite z.Borrell takohet me Presidentin Biden.