July 4, 2024
BallinaMaqedoni

Takohen Mexhiti dhe Kasami, paralajmërojnë një mega projekt për Tetovën

Takohen Mexhiti dhe Kasami, paralajmërojnë një mega projekt për Tetovën

Zëvendëskryeministri i parë, njëherit Ministër i Ambientit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti zhvilloi sot takim pune me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin.

Gjatë këtij takimi siç bëhet e ditur është biseduar mbi një nga shtyllat kryesore të programit të Qeverisë – decentralizimin.

“Komunat përfaqësojnë pushtetin e parë të drejtpërdrejtë për nevojat e qytetarëve dhe janë motori kryesor i zhvillimit ekonomik. Në këtë kontekst, ne dëshirojmë të ju informojmë se bashkërisht kemi diskutuar për më shumë projekte, mes cilave për projektin e gypit kryesor të ujësjellësit, finansim të rrjeteve sekondare të ujësjellësit, ndërtimin e stacionit për pastrim të ujërave të zeza, zgjërim të rrjetit për kanalizim në qytetin e Tetovës, si dhe ndërtim i rrjetit të ri të kanalizimit prej 32.4 km, të financuara nga buxheti qëndror, i cili do të dedikohet për projekte kapitale dhe infrastrukturore në komuna. Këto projekte synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve, dhe të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë vendin.

Gjatë takimit tonë theksuam rëndësinë e decentralizimit për të forcuar efikasitetin e komunave. Komunat janë në vijën e parë të përmbushjes së nevojave të qytetarëve dhe mund të veprojnë më shpejt dhe me më shumë fleksibilitet në adresimin e sfidave për qytetarë.

Dhe, me këtë në mendje, ne, bashkë po hartojmë një plan të detajuar, për të vizituar të gjitha komunat, me qëllim dinamizimin e procedurave për realizimin e projekteve me rëndësi jetike, për banorët e tyre.

Në takimin tonë, premtova se Qeveria do të jetë garantuesi që të gjitha komunat do të kenë mbështetje të barabartë! Ne besojmë se vetëm përmes një mbështetjeje të tillë, mund të sigurojmë një zhvillim të madh, të qëndrueshëm dhe të barabartë në të gjitha rajonet e vendit tonë.

Ne, përveç tjerash kemi premtuar zhvillim ekonomik, dhe jemi të prerë që ta realizojmë edhe këtë zotim.

Me këtë frymë, ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të realizuar këto projekte, dhe për të siguruar që qytetarët tanë të përfitojnë nga këto investime të rëndësishme”, ka njoftuar Mexhiti.