Maqedoni

Syri Tv: Gjermania ‘godet’ Ballkanin e Hapur: Do riaktivizohet Procesi i Berlinit

Gjermania pritet të riaktivizojë Procesin e Berlinit. Tre ministeriale me vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të zhvillohen këto ditë në Berlin.

Shkaku kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron që t’i japë një impuls të ri nismës së kancelares Angela Merkel. Procesi i Berlinit synon të avancojë afrimin e shteteve me BE-në, duke kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Po në kuadër të Procesit të Berlinit, nesër në të njëjtin format do zhvillohet konferenca e ministrave të Jashtëm. Sipas zëdhënësit të ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christofer Burger, takimi i ministrave të Jashtëm ka të bëjë veçanërisht me marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal. Tema të tjera përfshijnë sigurinë energjetike dhe axhendën e përbashkët të gjelbër. Dy tema këto që do të trajtohen edhe në ministerialin e tretë të ministrave të Energjisë, në të njëjtin format, të hënën po në Berlin.

Sipas burimeve të DË nga qarqe të ndryshme diplomatike, shpresohet që në këtë samit të arrihet progres për së paku tre prej katër marrëveshjeve të dakordësuara që në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020: Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët. Marrëveshja e katërt, e cila synon të rregullojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga vende të treta, por që janë rezidentë në rajon, sipas burimeve, ka nevojë ende për dakordësim.

Marrëveshja e vetme e dalë nga Procesi i Berlinit dhe që ka sjellë rezultate të dukshme, është ajo e heqjes së tarifave roaming mes vendeve të rajonit. Marrëveshjet e tjera kanë dështuar sidomos për shkak të faktit që dy vende të rajonit, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Paralelisht me konferencat në nivel ministror, po zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera të shoqërisë civile.

Riaktivizimi i Procesit të Berlinit do jetë një goditje për nismën e Ballkanit të Hapur.