Kosovë

Sveçla: Policia në Zveçan parandalon sulm terrorist, kapet vetura e Beogradit përplot me armatim (Foto)

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia në Zveçan të premten ka parandaluar një sulm terrorist ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Sveçla në Facebook ka shkruar se në një veturë me targa nga Beogradi në Zveçan janë gjetur një sasi e madhe e armatimeve të ndryshme.

“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake. Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë Kosovën.

“Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e cdo akti të mundshëm që synon cënimin e sigurisë së vendit tonë”, ka shkruar Sveçla

Sveçla ka thënë se ky rast konfirmon informacionet e institucioneve të sigurisë se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Foto: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid05QwhJQXTUWZFhBTkXFaqv8XXjU9QuhP5HCvKDVW7uDTL8cdUnu5tgtEXTHaZ37CMl&id=100063788556625