May 21, 2024
Maqedoni

Suzana nga Haraçina, shofere autobusi në Zvicër: Jam krenare me vendlindjen time! (Video)

Nëse voziteni ndonjëherë me autobus urban ne rrugët e qytetit Biel në Zvicër dhe aty dëgjoni këngë folklorike në gjuhën shqipe nuk duheni të habiteni aspak- ju jeni në autobusin që e drejton Suzana Haziri Masllani, një shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Suzan’ja është me prejardhje nga fshati Haraçinë i Shkupit, kurse tani e tridhjetë vite jeton në mërgim.
Fillimisht ka jetuar në Gjermani, rreth 20 vite, prej ku me familjen është transferuar në Zvicër.
“Pasi kam kryer shkollën 8 vjeçare, si shumë fëmijë tjerë shqiptarë edhe mua me familjen më ka sjellur rruga e fatit në mërgim. Kam jetuar 20 vite në qytetin Wesseling në Gjermani, ku kam vazhduar shkollimin dhe jam punësuar si motër medicinale. Të them të drejtën gjithmonë më ka pelqyer jeta në Zvicër, prandaj para 10 viteve u zhvendosëm nga Gjermania në qytetin Biel/Biene ku vendosëm ta vazhdojmë jetën me familjen”, thotë Suzana, duke treguar rrëfimin e saj jetësor.
Vendbanim i ri ka sjellur ndryshime të reja në jetën e saj. Shtatë vite ka punuar në një vetëshërbim, deri sa ka marë vendimin për ndryshim drastik-të bëhet shofere autobusi.
Një profesion mjaft i rrallë për femrat, sepse në mbarë Zvicrën mund të numërohen në gishta shoferet e autobusit femra, por Suzanes nuk i ka munguar guximi. I ka ndihmuar shumë edhe përkrahja që ka marë nga familja.
“Para tre viteve më lindi ideja të bëhem shofere autobusi, sepse veçmë e kisha lejen për të vozitur kamion. Dilema a të filloj këtë punë ose jo ende ishte e madhe, por me insistim të vajzës dhe bashkëshortit e mora lejen e autobusit dhe fillova punën si shofere të cilën po e punoj tani e tre vite”, shton Suzana.
Tre vite nuk janë shumë në një profesion, por Suzana brenda kësaj kohe të shkurtë ka arritur të bëhet ndër punëtoret më të dalluara në kompaninë VB Biel, kompani e transportit në këtë qytet. Për këtë ka marë edhe mirënjohje të shumta. E pranon se bëhet fjalë për profesion mjaft të rëndë, por që nuk e pengon të jetë edhe nënë dhe amvise e përkushtuar.
“Të jesh shofer autobusi është profesion me përgjegjësi që kërkon përkushtim te madh. Është profesion i rëndë si për meshkujt poashtu edhe për femrat.
Por kjo nuk më pengon ti përkushtohem edhe familjes dhe fëmijëve. Fëmijët janë ata për të cilët ia vlen të bëhet çdo sakrificë. Jam nënë e tre fëmijëve si engjuj që më bëjnë krenare me sukseset e tyre. Ata më bëjnë të harroj çdo lodhje dhe vështirësi. Kam edhe përkrahjen e parezervë të bashkëshortit. Unë jam krenare me vendlindjen time, që jam nga Haraçina dhe dëshiroj që edhe fëmijët e mi të jenë krenarë me vendin ku i kanë rrënjët dhe që janë shqiptarë”, flet ajo me emocione.
Puna e lodhshme dhe obligimet nuk e pengojnë as Suzanen e as familjen e saj të jenë në lidhje të vazhdueshme me vendlindjen.
“E tillë është jeta jonë e mërgimtarëve, numërojmë ditët deri sa të vijnë pushimet dhe ta vizitojmë vendlindjen për tu çmallë me familjarët, miqtë e shokët. Tani lidhjet janë më të mira se më parë dhe çdo herë kur na jepet mundësia i hypin aeroplanit dhe vizitojmë vendlindjen qoftë vetëm për një vikend”, thotë Suzana.
Edhe pse ka ende shumë vite deri në pension ëndërra e saj është që një ditë të krijohen kushte për kthim në vendlindje, sepse vendlindja u ka shumë borxh mërgimtarëve dhe ata meritojnë që moshën e shtyer ta kalojnë aty ku edhe e kanë filluar jetën./Almakos

Video: Video Suzana Haziri Masllani

Video Suzana Haziri Masllani