May 3, 2024
Kosovë

Sulmohet një polic në Veri të Kosovës

Në zyrtar policor është sulmuar të mërkurën në Mitrovicë të Veriut derisa ishte në krye të detyrës nga një person i panjohur.

“Ankuesi mashkull kosovar-zyrtar policor, ka informuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtar të PK-së”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Ndërsa në Fushë Kosovë një person është plagosur mbrëmjen e së mërkurës pas një mosmarrëveshje me dy të tjerë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që pas një mosmarrëveshje me dy të dyshuar të tjerë për momentin të panjohur ka ardhur deri tek incidenti i plagosjes me armë zjarri te njërit prej të dyshuarve të lartcekur”, thuhet në raport.

I dyshuari i plagosur gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa tek i dyshuari i dytë është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

Lidhur me rastin është identifikuar edhe i dyshuari i tretë i cili deri me tani gjendet në arrati.

Sipas njoftimit të organeve të rendit një grabitje e armatosur ka ndodhur të mërkurën në një pompë të derivateve në Kaçanik, derisa të dyshuarit ishin të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur një shumë të parave.