May 2, 2024
Kosovë

Sulmi terrorist, Çeku: Ende asnjë përgjigje për vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. Kështu thotë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa potencon se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren. Ai shton se do të vazhdojnë të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit, me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën dy policë.

Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, ministri Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

Ministri Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

“Ne kemi komunikuar me dioqezën Rashkë-Prizren, pranë autoritetit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë dhe e konfirmuar edhe me shkrim, pra zyrtarisht gatishmërinë, vullnetin dhe detyrimin tonë ligjor dhe institucional për ta bërë vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës të shkaktuara nga sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe mbi atë vlerësim, për t’i ndërmarrë veprimet e duhura riparuese, restauruese brenda manastirit.

Deri në këtë moment që po flasim, unë nuk kam asnjë përgjigje zyrtare nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, vazhdojmë të jemi në pritje, vazhdojmë të jemi të gatshëm për bashkëpunim, për partneritet sepse në pyetje është trashëgimia kulturore e Kosovës dhe trashëgimia fetare e Kosovës. Dhe në këtë drejtim ne do të vazhdojmë të jemi edhe insistues, por edhe t’i kryejmë detyrat tona ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Çeku.