Dy persona janë ndaluar nga policia si autor të dyshuar dhe që mund të kenë lidhje me sulmin me armë ndaj godinës së televizionit Top-Channel ku humbi jetën roja i objektit, Pal Kola 60 vjeç.
TV klan ka mësuar se këta persona janë me origjinë nga Shkodra dhe janë kapur në Vlorë.
“Hetimet vijojnë lidhur me personat e dyshuar të cilët mund të jenë të përfshirë në ngjarje. Konkretisht, dy persona të cilët janë me origjinë nga Shkodra, janë ndaluar në orët e para të mëngjesit fill pas regjistrimit të ngjarjes, në qytetin e Vlorës dhe për këtë policia ka dyshime të arsyeshme se mund të jenë të përfshirë në atë sulm të paprecedent në orët e para të mëngjesit ndaj godinës së Top Channel ku fatkeqësisht humbi jetën edhe punonjësi i sigurisë 60-vjeçari Pal Kola.
Nisur nga këto dyshime, ata janë ndaluar fill pas pikave të kontrollit të ngritura në të gjithë vendin me qëllim kapjen e autorëve dhe përmes një informacioni në rrugë operative këta persona kanë rënë në prangat e policisë dhe aktualisht janë në Policinë e Vlorës, aty ku është nisur një grup i posaçëm hetimor nga sektori krimeve të rënda për t’i marrë në pyetje dhe për të shuar çdo dyshim në rast se këta dy persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije, janë të përfshirë ose kanë lidhje sa i takon ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne. Marrja në pyetje do bëhet për të shuar çdo dyshim dhe për të parë nëse lidhja e tyre me ngjarjen konsiston si dyshimet që zotëron policia në këto momente dhe për këtë arsye edhe identiteti i tyre nuk bëhet me dije për shkak të sekretit hetimor”, raporton mediumi.