Sulmi me armë zjarri në Haraçinë, 21 vjeçari është në gjendje stabile
Shoferi i kryetarit të komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, i cili ditë më parë u plagos në tentim vrasjen e organizuar ndaj kryetarit Ibraimi, është në gjendje të mirë shëndetësore. Pas intervenimit të kryer në kraharorë, respektivisht tek një pjesë e mushkërisë nga ku e nxorën plumbin që atentatorët e kishin qëlluar, ai veç më ka filluar të stabilizohet dhe të tregojë parametra stabile dhe në asnjë moment brenda 24 orëve të fundit nuk ka pasur komplikime.
“Gjatë natës së kaluar dhe mëngjesin e sotëm pacienti ka kaluar me parametra vitale stabile nuk ka ndodhur komplikime të papritura, megjithatë ai vazhdon ende në kujdesin intensiv, ndërsa brenda ditës do të bëhen ekzaminime të duhura për të vendosur trajtimin e mëtutjeshëm. Në përgjithësi, pas këtij intervenimi aq të gjerë të lëndimeve të rënda, pacienti po mendoj se po hyn në fazë stabilizimi, megjithatë brenda ditës do të kemi një pasqyrë më të qartë rreth shëndetit të tij.”, – deklaroi drejtori i Klinikës Universitare për Kirurgji, Nexhat Jakupi, për TVM2.
Pavarësisht kësaj, Jakupi thotë se rikuperimi i djaloshit të plagosur 21 vjeçar do të merr pak më shumë kohë derisa të stabilizohet gjendja e tij.
“Natyrisht se asnjëherë nuk mundemi të parashikojmë komplikimet e mundshme, ato në fakt dihet se cilat mund të jenë, por ne shpresojmë se ato nuk do të zhvillohen, përveç rikuperimit që kërkon kohë.”, – theksoi drejtori i Klinikës Universitare për Kirurgji, Nexhat Jakupi.
Nga MPB nuk japin informacione të reja se deri ku është hetimi. Thonë vetëm se po punojnë në zbardhjet e plotë të rastit. Deri në këto momente ende nuk janë identifikuar persona dhe nuk është gjetur automjeti prej të cilit ata gjuajtën në drejtim të Kryetarit të Haraçinës. Në këtë sulm me armë zjarri, sulmuesit sipas dëshmitarëve okularë kanë zbrazur një karikator të tërë nga pushka, me ç’rast u lëndua edhe një nëpunës komunal, por ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Prokuroria Publike Themelore tashmë pret rezultatet e hetimit të MPB-së dhe pas dokumentacionit të kompletuar do të ndërmarrë hapa konkrete në lidhje me këtë sulm. Më herët në një procedurë paraprake për kërcënimet që vazhdimisht kishte marr Ibraimi, PThP-ja ka hapur procedurë ndaj dy vëllezërve për rrezikim të sigurisë së kryetarit të komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Të dyshuarit të moshës 42 dhe 35 vjeçare, në mënyrë të vazhdueshme përmes telefonit e kanë kërcënuar zyrtarin – kryetarin e komunës së Haraçinës, duke i shkaktuar atij pasiguri, ankth dhe frikë. Edhe në shtator të vitit 2022, kryetari Ibrahimi kishte raportuar në polici se ishte sulmuar fizikisht nga disa persona, ndërsa në maj të vitit 2023 kishte raportuar se kishte marrë kërcënime me jetë.