Suedia lehtëson masat për qytetarët që janë vaksinuar
Agjencia e Shëndetit Publik të Suedisë thotë se disa kufizime të COVID-19 do të lehtësohen për ata qytetarë që janë vaksinuar.
=
Njerëzit e moshuar që kanë bërë dozën e parë të vaksinës mund të shoqërohen me njerëz jashtë rrethit të tyre të ngushtë tre javë pas marrjes së injektimit.
“Ndryshimet përfshijnë lejimin e njerëzve të vaksinuar të kalojnë kohë me fëmijë dhe nipër e mbesa duke mos mbajtur distancë, me kusht që të mos kenë simptoma”, thuhet në deklaratën e Agjencisë së Shëndetit Publik.
“Pasi të ketë përfunduar vaksinimi i personave të moshuar dhe kontaktet e tyre shtëpiake, si dhe personeli i kujdesit shëndetësor që punon ngushtë me këtë grup rreziku, aktivitetet e përbashkëta në shtëpi të specializuara dhe aktivitete të kujdesit ditor mund të rifillojnë,” thuhet më tej në njoftim.
Vonesa tre javore derisa qytetarët të mund të shoqërohen, është përdorur si udhëzim sepse trupi do këtë kohë për të zhvilluar një nivel të mirë mbrojtjeje.
Autoritetet shtuan se “njerëzit e vaksinuar duhet ende të shmangin hapësirat publike të mbingarkuara”.
Rreth një në pesë shtetas suedezë deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës COVID-19, por autoritetet po paralajmërojnë që lehtësimi i kufizimeve do të mbetet “gradual”.
Rreth 400 pacientë me COVID-19 aktualisht janë duke u trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv në spitalet në të gjithë Suedinë, duke përfshirë një numër në rritje të rasteve tek fëmijët dhe të rriturit e rinj.
Stokholmi ka synuar vaksinimin e të gjithë të rriturve deri më 15 gusht, por plani është goditur nga vonesat e furnizimit dhe tërheqja e Johnson & Johnson nga BE.