Suedia i dha leje të djegë Biblën dhe Toran, djaloshi e hedh shkrepsen në tokë: “Unë jam musliman, ne nuk djegim libra”
Burri që tha se do të digjte Torën dhe Biblën jashtë Ambasadës së Izraelit në Stokholm ka hequr dorë nga plani i tij dhe në vend të kësaj mbajti një demonstratë kundër djegies së librave të shenjtë, raportuan mediat suedeze.
Në vendngjarje, ai ka thënë se është mysliman dhe hodhi në tokë një çakmak që mbante në dorë, duke thënë se kurrë nuk kishte ndërmend të digjte libra të shenjtë.
Burri, i cili është rreth të 30-tave dhe i është dhënë leje për protestën nga policia e Stokholmit, ka thënë se një veprim i tillë do të ishte kundër Kuranit, librit të shenjtë mysliman.
Burri, i cili banon në Suedinë perëndimore, ka thënë gjithashtu se “askush nuk duhet ta bëjë këtë”.
Zyrtarët izraelitë i kishin bërë thirrje qeverisë suedeze të ndalonte protestën dhe djegien e librave të shenjtë pasditen e së shtunës. “Times of Israel” ka raportuar se burri qëndroi jashtë Ambasadës izraelite të shtunën pasdite duke mbajtur një kopje të Kuranit dhe duke thënë se nuk ishte qëllimi i tij të digjte libra të shenjtë hebrenj apo të krishterë, por vetëm për të protestuar kundër djegies së fundit të Kuranit.
“Unë jam mysliman, ne nuk djegim (libra). Unë dua të tregoj se ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin”, ka thënë burri, sipas medias SVT, duke shtuar se ai nuk kishte ndërmend të realizonte planin e tij.
Suedia kohët e fundit është përballur me kritika të forta nga vendet myslimane për lejimin e protestuesve që të djegin Kuranin në demonstrata të vogla anti-islame.