Rajon - Botë

Stoltenberg në BeH: Jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe ndikimet e jashtme

NATO mbetet e përkushtuar në mbështetjen e saj për Bosnjë e Hercegovinën (BeH) në rrugën e saj euroatlantike. Secili vend ka të drejtë të zgjedhë aranzhimet e veta të sigurisë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po viziton Sarajevën, kryeqytetin e BeH-së, raporton Anadolu.

Kreu i NATO-s zhvilloi sot një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto.

“Ne diskutuam për situatën e sigurisë në BeH dhe në rajon. Aleatët mbështesin fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj. Ne jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe ndikimet e jashtme, veçanërisht Rusisë. Kjo kërcënon prishjen e stabilitetit dhe dobësimin e reformave. Të gjithë liderët duhet të punojmë për unitet dhe përparim. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe jemi të përkushtuar për situatën në këtë rajon. NATO ka vite që është e angazhuar për stabilitetin në vendin tuaj”, tha Stoltenberg në konferencën për media pas takimit me Krishto.

Ai tha se NATO dhe aleatët e saj mbeten të përkushtuar ndaj misionit paqeruajtës EUFOR në BeH.

– Mbështetje për Misionin Althea

“Ne po thellojmë bashkëpunimin dhe dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik. Selia e NATO-s në Sarajevë i ofron mbështetje misionit të Bashkimit Evropian Althea. NATO dhe aleatët mbeten të përkushtuar për suksesin e këtij misioni dhe ne mirëpresim vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vazhdimin e misionit”, shtoi ai.

Stoltenberg theksoi se aleanca e NATO-s mbështet fuqishëm përpjekjet reformuese të BeH-së.

“Kjo do të forcojë aftësitë tuaja në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe të tjera dhe mbrojtjes kibernetike. NATO mbetet e përkushtuar për të mbështetur BeH-në në rrugën e saj euroatlantike. Secili vend ka të drejtë të zgjedhë aranzhimet e veta të sigurisë pa ndërhyrje të jashtme. Unë veçanërisht dua të përgëzoj BeH-në për sukseset e saj që ka arritur në rrugën drejt BE-së”, tha Stoltenberg.

– Turneu ballkanik

Stoltenberg mbërriti në kryeqytetin e BeH-së të dielën, ku ndodhet për një vizitë dyditore, gjatë së cilës do të takohet me zyrtarë të shumtë. Ai u prit nga anëtarët e presidencës së BeH-së në Sarajevë.

Pas takimit të sotëm me Krishto, kreu i NATO-s pritet të takohet me përfaqësuesin e lartë në BeH, Christian Schmidt ndërsa janë planifikuar takime me zyrtarë ushtarakë dhe ndërkombëtarë në bazën e NATO-s në Butmir.

Krahas BeH-së, Stoltenberg në ditët në vijim duhet të vizitojë edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pas Sarajevës do të udhëtojë në Kosovë, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Pas Kosovës, Stoltenberg do të zhvillojë një takim në Beograd me kryeministren Ana Brnabiç dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në kuadër të turneut të tij ballkanik ndërsa vizitën e tij në rajon do ta përmbyllë në Maqedoninë e Veriut.