Stoltenberg me porosi për Maqedoninë: Duhet të përgatiteni edhe për më të keqen
Takimi i parë i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg. Tema e bisedës ishin Rusia dhe Ukraina. Stoltenbergu vlerëson se kjo shpërndarje e forcave ruse është më e madhe që nga Lufta e ftohtë.
“NATO-ja ka dëshmuar se i mbron aleatët e saj. Ne duam të gjejmë zgjidhje politike për krizën. Por, ju duhet të jeni të përgatitur edhe për më të keqen“, tha Jens Stoltenberg, sekretar gjeneral i NATO-s.
Në takimin që u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel ku morën pjesë ministri i jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, kryeministri Kovaçevski theksoi se me realizimin e qëllimit strategjik për t’u bërë anëtare e NATO-s, Maqedonia për një kohë të shkurtër e realizoi integrimin ushtarak në Aleancën dhe e vazhdon procesin e modernizimit të Armatës sonë.
“Me sekretarin e përgjithshëm, Stoltenberg biseduam për situatën në Ukrainë që paraqet kërcënim për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Si aleat i NATO-s ne iu bashkëngjitëm thirrjeve deri te Rusia që të qetësohet dhe ta vazhdojë dialogun diplomatik“, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër I RMV-së.
Kovaçevski tha se për vendin tonë si vend-anëtar i NATO-s, apeli i NATO-s që Rusia ta ripërtërijë dialogun është thelbësor, në suazat e Këshillit NATO-Rusi dhe shtoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për angazhim konstruktiv brenda këtij procesi.