May 22, 2024
Maqedoni

SPITALI PA MJEKË! | Dibra po mbetet pa kuadro mjekësor

Nga viti në vit, institucionet shëndetësore që funksionojnë në Dibër po mbeten pa kuadro profesionale. Spitali i Përgjithshëm, por edhe Njësia për Shëndet publik për fat të keq kohëve të fundit kanë ngelur pa shumë specialistë. Kjo po detyron dibranët që shërbime shëndetësore të kërkojnë në Strugë, Ohër, Manastir, Tetovë dhe madje edhe në Shkup. Spitali i Dibrës ka mbetur pa anesteziolog, transfuziolog, pa otorolingolog…, pasi mjekët që ishin – tashmë kanë dalë në pension. Por edhe Njësia e Entit për Shëndet Publik në Dibër, e cila është njësi e Entit me seli në Ohër, ka mbetur pa kuadrot e nevojshme. Tani më disa muaj kjo njësi ka mbetur pa epidemiolog, profesion i cili është tejet i nevojshëm për Dibrën dhe rajonin, meqë shpeshherë në këtë rajon paraqiten sëmundje të ndryshme ngjitëse infektive.

Epidemiologu i njohur Mentor Mela pas daljes në pension, me kontratë pune punoi disa muaj, por që nga viti i ri, kontrata i është ndërprerë. Dr.Mela për gazetën Koha thotë se ka patur takime me kompetentët në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa ka shprehur dëshirën për të vazhduar aktivitetin profesional si epidemiolog meqë Dibra dhe i tërë rajoni perëndimor nuk e ka një të tillë.

Mela, i cili është i njohur në nivel të shtetit si epidemiologu që zbuloi rastet e para në vendin tonë me Kovid-19, potencon se tani Dibra dhe rajoni kur ka edhe raste të epidemisë të kollit të rëndë, ka ngelur pa epidemiolog. Angazhimi im, thotë ai, do të ndihmoj mbrojtjen të personave dhe të shëndetit të tyre nga kolli i keq. Por, deri më sot nuk ka marrë informatë nga Ministria e Shëndetësisë për vazhdimin e kontratës, tregon ai.